Gjykata, 134 gjyqe për vjedhje në 9 muaj
Gjirokastër Prej fillimit të këtij viti, vepra penale e “vjedhjes” vazhdon të jetë çështja juridike më e gjykuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër. Sipas burimeve zyrtare në Gjykatën e Faktit, në periudhën janar-shtator 2011 kjo gjykatë ka marrë në shqyrtim 134 raste për veprën penale të “vjedhjes”, për pjesën më të madhe të të cilave janë dhënë edhe vendimet përkatëse. Pas çështjeve të gjykuara për vjedhje, renditen ato për veprat penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” etj. Ndërkohë, mes 1143 çështjeve civile të marra në shqyrtim nga gjykata, gjatë këtij 9-mujori vendin e parë e zënë çështjet gjyqësore për probleme familjare, për të vijuar me ato administrative etj. Çështjet e pronësisë renditen në vendin e tretë për sa i përket numrit të çështjeve civile të marra në shqyrtim nga Gjykata e Faktit në Gjirokastër gjatë periudhës janar-shtator 2011.