E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovice serbet vendosin nje barrikade te re

Strukturat paralele serbe në veri vazhdojnë të sfidojnë mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë të sigurisë. Pikërisht në kohën kur KFOR-i po zhvillon negociata me serbët e veriut për largimin e të gjitha barrikadave, serbët kanë vendosur një barrikadë të re.

Kësaj radhe në thellësi të lagjes Kroi i Vitakut, strukturat paralele serbe kanë shkarkuar zhavor nëpër disa pika të kësaj lagje. KFOR-i u ka thënë ultimatum serbëve që deri të dielën t’i largojnë vetë barrikadat, në të kundërtën forcat e NATO-s kanë thënë se do të largojnë vetë ato. Për Ministrin e  Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi serbët duhet t’i largojnë  vetë barrikadat.

“Ata që i kanë vendosur barrikadat, në mënyrë vullnetare duhet të heqin. Ndoshta duhet t’ju behet presion në Serbi, që t’ju urdhërojë apo udhëzojë atyre që t’i heqin barrikadat, në mënyrë që këta njerëz që janë viktima  të grupeve ndryshme kriminale  në fund të kthehen nga normaliteti. Dëshira është edhe e KFOR-it dhe të gjithëve që të mos përdoret forca dhe dhuna, për arsye se ata pse janë kokëfortë në qëndrime të tyre herët a vonë duhet  të filloj debllokomi i rrugëve”- tha Rexhepi.

Partitë opozitare kërkojnë nga KFOR-i dhe mekanizmat tjerë të sigurisë që të largojnë barrikadat dhe të mundësojnë lëvizjen e lirë.

“Është e vështirë t’ju besohet se do t’ju binden kësaj, por ata e kanë dhënë afatin, mendoj që është korrekte dhe e mirë. Nëse jo do të dëshironim që KFOR-i realisht deri me tani e ka mbajt fjalën edhe tani të mbaj fjalën dhe ato barrikada duhet t’i demoloj, sepse demolimi i tyre është në të mirën e të gjithë qytetarëve”- tha kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

“Ne jemi dëshmitar të një 12- vjeçari të historisë më të re të Kosovës, kur KFOR-i dhe institucionet e tjera ndërkombëtare në mënyra të ndryshme janë munduar që ta gjejnë një zgjidhje ose që ta sigurojnë një rehati për pjesën veriore të Kosovës, por nuk kanë pasur sukses dhe konsiderojmë që i vetmi institucion që mund dhe duhet të ketë sukses në pjesën veriore janë institucionet e Kosovës. Por nuk bën ta varësh shpresën tonë në misionin ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë”- tha kryetari i grupit parlamentar të VetëvendosjesVisar Ymeri.

Ndërkohë gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti kritikoi ashpër qeverinë e Kosovës, e cila sipas tij, nuk po mbron lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës, lagje kjo në të cilën sipas tij, po mbrohet shteti i Kosovës.

Sala Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›