E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovicë, shqiptarë e serbë në protestë për ujin

MITROVICë - Shqiptarë, serbë, boshnjakë, goranë etj, kanë protestuar bashkërisht në mënyrë të qetë, për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, duke i bllokuar rrugën që shpien në lagjen “Kodra e Minatorëve”.

Agjencia e lajmeve kosovare Koha.net bën të ditur se kjo është protesta e parë që banorë të saj, pa dallim etnie e feje, së bashku kanë protestuar për problemet që ata i preokupojnë. Kjo protestë është mbajtur të premten në orët e pasdites.
Mungesa e ujit të pijes është problem i të gjithëve në zonë, shkak që ka nxjerrë së bashku në protestë për të protestuar së bashku qetë të gjitha etnitetet që jetojnë në këtë zonë.

Elizabeta Kelmendi tha se është duke hequr të zitë e ullirit në këto ditë vape nga mungesa e ujit. “Lagjes po i vjen era pisllëk e për këtë nuk e çan kush kokën, ndonëse ne banorët kemi reaguar me kohë”.

Edhe serbi Nenad Jakshic tha se ka dalë të protestojë për shkak të mungesës së ujit dhe se banorët e lagjes janë të irrituar edhe më shumë për faktin se askush nuk u jep asnje sqarim. “Ne kërkojmë ujë dhe asgjë tjetër. Nuk duam të bëjmë politikë, sepse uji nuk është politikë, uji është çështje jetike”, ka thënë ai.
Përfaqësuesi i serbëve të lagjes, Nenad Mariq, tha se është ky një tubim i qetë protestues për shkak të mungesës së ujit, për zgjidhjen e të cilit problem është trokitur në çdo derë, por pa sukses. “Ne kemi marrë vetëm premtime dhe asgjë tjetër, e me premtime nuk mund ta shuajmë etjen. Ne lagje kemi 74 fëmijë nga 1 deri në 3 vjec, kemi persona handikapë, kemi pleq dhe mungesa e ujit në këtë vapë të tmerrshme po na vështirëson jetën e të gjithëve, e sidomos kategorive që përmenda”, ka thënë ai.
Gjatë gjithë kohës protestuesit ishin të rrethuar nga forca policore, të cilët kërkonin të lirohet rruga, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Madje nuk janë lejuar të qarkullojnë as automjetet e KFOR-it.

Në ndërkohë, në lagje ka arritur edhe nënkryetari i komunës paralele serbe, Sasha Dedovic, i cili i ka pyetur qytetarët përse nuk kanë ardhur në Komunë për të kërkuar zgjidhjen e problemit, duke u premtuar pastaj se problemi do të zgjidhet menjëherë.

Protesta ka përfunduar e qetë dhe pa incidente, kurse banorët kanë vendosur që nëse nuk zgjidhet problemi, ata sërish do të dalin bashkërisht në protestë të cilën do ta përshkallëzojnë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›