Mitt Romney deklasoi rivalët në New Hampshire

Romney fitoi 39 për qind të votave, 16 për qind përparësi ndaj kundërshtarit të tij, kongresistit, Ron Paul.
Fitorja vendimtare në New Hampshire vjen pas një fitoreje të ngushtë të Romneyt në zgjedhjet e javës së kaluar në Iowa, duke e rritur vrullin e tij përpara zgjedhjeve të rëndësishme në Karolinën e Jugut, më 21 janar.
Duke folur para përkrahësve të tij, pasi rezultatet dëshmuan një fitore vendimtare në New Hampshire, Romney është fokusuar në votimin e radhës në Karolinën e Jugut dhe njëkohësisht në garën presidenciale të nëntorit, kundër të parit të demokratëve, Barack Obama.
“Presidentit i janë harxhuar idetë. Tani më nuk po ka as arsyetime. Dhe sonte, ne po kërkojmë nga njerëzit e mirë të Karolinës së Jugut që t’i bashkohen qytetarëve të New Hampshire dhe të ndikojmë që viti 2012 të jetë viti kur atij i mbaron koha”, tha Romney.
Jo vetëm që Romney i përmbushi pritjet e larta në New Hampshire, por ai të fitojë pa asnjë rival të denjë që ta sfidojë atë në garën e tij.
Paul u renditi dyti me 23 për qind të votave.
Ishte kjo paraqitja e tij e dytë e fortë, pasi doli i treti në Ajowa, në garën e parë nominuese.
Por analistët politikë thonë se Paul mbetet një bast i vështirë për nominimet republikane.
Përderisa ka një grup besnik të përkrahësve për shkak të pikëpamjeve më liberale, ai është parë se bie në kundërshtim me idetë më konservatore të partisë republikane, për shkak të thirrjeve të tij për shkurtime ushtarake, tërheqjen e trupave nga Afganistani, si dhe legalizimin e drogës.
Analistët thonë se kandidati i tretë, ish-guvernatori i Utah, John Huntsman, gjithashtu shihet se ka pak gjasa të fitojë nominimin.
Ai fitoi 17 për qind të votave në New Hampshire, pas fushatës intensive që zhvilloi në këtë shtet.
Por ai vazhdon të jetë në fund të sondazheve kombëtare.
Ai nuk është aq konservator sa rivalët dhe roli i tij si ambasador i Obamës në Kinë bën që ai të mos jetë aq i dashur në mesin e republikanëve, të cilët kanë pikëpamje të ashpra lidhur me presidentin e tashëm.
Ndërkohë, tre kandidatët që kishin gjasa më të mëdha që të tërhiqnin votat e konservatorëve, Newt Gingrich, Rick Santorum dhe Rick Perry, patën vështirësi në New Hampshire.