E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mjaft" në Korçë me peticionin kundër Bashës

Këtë herë përfaqësuesit e lëvizjes “Mjaft” kanë shkuar në qytetin e Korçës për të marrë firmat e qytetarëve në peticionin për dorëheqjen e ministrit të Jashtëm Lulzim Basha. 

KORÇË – Përfaqësuesit e “Mjaft” sot kane qenë në qytetin e Korçës së bashku me peticionin e kësaj lëvizjeje kundër ministrit Lulzim Basha. E pranishme në këtë qytet lëvizja “Mjaft” ka ftuar qytetarët e juglindjes të firmosin peticionin mbarëpopullor për dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Jashtme Lulzim Basha.
Peticioni i cili i drejtohet parlamentit, presidentit të vendit, por dhe kryeministrit të vendit Sali Berisha është shpërndarë në rrugët e Korçës, ku shumë qytetarë të tij kanë nisur të hedhin firmat e tyre për t’iu bashkuar kësaj iniciative më të re të lëvizjes “Mjaft”.
Sipas kësaj lëvizjeje peticioni vjen pas pretendimit se ministri i Jashtëm Lulzim Basha është një ministër i cili ka realizuar një përfaqësim jo të denjë të Shqipërisë në nivele ndërkombëtare, një deputet pa imunitet dhe një ish-ministër Transportesh i dyshuar për korrupsion dhe së fundmi një nga bashkëpunëtorët kryesor të Damir Fazlliç.
(a.s/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›