Mjaft:Për gjykimin e ministrit Basha, është shkelur ligji
TIRANE- Lëvizja Mjaft ka shprehur shqetësim për shkeljet ligjore që po ndodhin në gjykimin e ministrit Lulzim Basha për aferën e Rrugës Durrës-Kukës. Në një deklarate për shtyp lëvizja Mjaft thekson se në gjykim ka shkelje të hapura të dispozitave kushtetuese dhe ligjore. Shkeljet nisin qe në momentin që ministri Basha ka dërguar çështjen e tij në Gjykatën e Shkallës së Parë, duke shkelur Kushtetuten e Shqipërisë.
Mjaft është e bindur se në këtë mënyrë, qeveria Berisha dhe instrumentet që ajo përdor brenda sistemit gjyqësor, po i japin një shuplakë të fortë drejtësisë dhe demokracisë shqiptare, duke anashkaluar ligjet përkatëse dhe strukturat kompetente.Sipas kësaj levizjeje ka një mungesë koordinimi ndërmjet Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Lartë, të cilat nuk duhet të konkurrojnë mes tyre për gjykimin e çështjes, duke qenë se ligji shpreh qartë se kujt i takon kompetenca. Nga kjo mungesë koordinimi dhe shkelje ligjore ka përfituar ministri i akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje barazie në tendera” për çështjen e Rrugës Durrës-Kukës.
(e.n/News24/Balkanweb )