Berat, të rinjtë protestojnë për kthimin e maternitetit në universitet privat
Shitja e ish- godinës të maternitetit në qytetin e Beratit dhe kthimi i ambienteve në një universitet privat, ka ngritur në protestë të rinjtë e këtij qyteti, të cilët me pankarta në duar janë mbledhur para goditës së ish-maternitetit.
Të rinjtë kanë ngritur zërin kundër hapjes së këtij universiteti dhe kanë kujtuar që për Beratin ishte premtuar hapja e një universiteti publik, gjë që do të krijonte mundësinë e ndjekjes së arsimit të lartë për të gjithë të rinjtë që kanë përfunduar dhe do të përfundojnë maturat e këtij viti por që për arsye ekonomike nuk kanë mundur të ndjekim studimet e larta në universitetet e tjera të hapura në të gjithë vendin, në ato private dhe shtetërore. Të gjendur përpara kësaj situate, mesditën e djeshme një grup të rinjsh vullnetarë ndër radhët e PS-së janë mbledhur përpara ish godinës së maternitetit ku kanë protestuar në lidhje me privatizimin e bërë ditët e fundit. Ndërtesa ka shërbyer si maternitet për rreth 25 vjet, ndërkohë që dy vite më parë në kuadër të reformave në mjekësisë, shërbimi Obstetrik Gjinekologjik kaloi pranë Spitalit Rajonal me gjithë kundërshtitë e ekipit sanitaro-mjekësor. Pak ditë më parë u publikua fakti se objekti i ish maternitetit ishte privatizuar dhe në ambientet e tij do të hapet një universitet privat. Ky lajm solli fillimisht reagimin e deputetit të Qarkut të Beratit, Erjon Braçe dhe më pas të të rinjve beratas. Deputeti Braçe, dy ditë më parë në reagoi ashpër në lidhe me shitjen e godinës së ish-maternitetit, duke kërkuar madje edhe fillimin e hetimeve nga ana e prokurorisë në lidhje me procedurat e ndjekura për shitjen e tij.