E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrata e re e punës, asnjë përfitim për policët e liruar

Kontrata e punës për policinë
shqiptare, e firmosur
pak ditë më parë,
është përshëndetur
edhe nga ish-punonjësit e policisë,
pavarësisht se ata kanë kritikuar,
duke deklaruar se janë
lënë pas dore. Në një intervistë
për "Shqip", Besnik Bakiu, kreu i
shoqatës së ish-policëve, deklaroi
se nuk shikon asnjë përfitim
konkret nga kjo kontratë,
veç demagogjisë së Ministrisë së
Brendshme. Ai i ka rikujtuar
Ministrisë së Brendshme detyrimet
ligjore që ka ndaj ishpunonjësve
të policisë për njësimin
e gradave në polici. Por, në
intervistën e tij, Bakiu ka folur
edhe për anëtarësimin në
NATO, si një nga ekspertët e policisë
për ndjekjen e detyrimeve
për anëtarësim në NATO. Ai komenton
edhe rolin e policisë në
zgjedhje, duke treguar frikën
për kontingjent të politizuar, që
është rekrutuar në radhët e policisë.
"Ky kontingjent është
edhe shqetësim për partnerët
tanë euroatlantikë", shprehet
Bakiu, duke kujtuar se Departamenti
Amerikan i Shtetit, në shkurt
2009, tërhoqi vëmendjen
se: Performanca e policisë, edhe
gjatë vitit 2008, vazhdoi të jetë
e dobët. Sjellja joprofesionale
dhe korrupsioni mbeten problemet
kryesore në krijimin e një
force policore efektive.
Si e komentoni firmosjen
e Kontratës Kolektive
të Punës ndërmjet
Drejtorisë së Përgjithshme
të Policisë së Shtetit dhe
Sindikatës së Punonjësve
të Policisë së Shtetit?
Është një hap pozitiv në zbatimin
e detyrimeve ligjore që ka
institucioni i Policisë së Shtetit
ndaj punonjësve të vet. Por duhet
të theksoj se është shumë i
vonuar në kohë. Vetëm në Shqipëri
ndodh të duartrokitet dhe
përgëzohet zbatimi i detyrimeve
ligjore. Pjesa thelbësore e detyrimeve
që merr përsipër institucioni
i Policisë së Shtetit, në këtë
kontratë janë detyrime ligjore të
përcaktuara në legjislacion. Të
habit fakti se përse nuk janë
zbatuar këto deri tani! Desha të
bëj me dije se në detyrim të ligjit
"Për Policinë e Shtetit", neni 85
(Detyrimet e Policisë ndaj
Sindikatës së Policisë), pika 3, ku
thuhet se: "Marrëdhëniet mes
Sindikatës dhe Drejtorisë së
Përgjithshme të Policisë rregullohen
me marrëveshje dypalëshe",
kjo marrëveshje duhej
të ishte nënshkruar të paktën 15
vite më parë. Megjithatë, më
mirë vonë se sa kurrë.
Cili është përfitimi i ishpunonjësve
të policisë nga
kjo marrëveshje?
Përveç demagogjisë, nuk
shoh ndonjë përfitim konkret,
madje përkundrazi, koha e gjetur
për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje
e bën atë të dyshimtë.
Zotërinjtë drejtues të Ministrisë
së Brendshme, në vend të demagogjisë,
duhet të zbatojnë
detyrimin ligjor ndaj kësaj kategorie,
për të bërë njësimin e gradave,
sipas ligjit nr. 8661, datë
18.9.2000 "Për sigurimin shoqëror
suplementar të punonjësve
të Policisë së Shtetit", neni
5 (Kushtet e përfitimit), pika b,
paragrafi i dytë: "Kur funksioni
ose grada që kishte përfituesi
nuk është më, ministri i Rendit
Publik bën njësimin e tyre me
ato që janë në fuqi në çastin e
lindjes së të drejtës për përfitim".
Ne jemi në pritje, por në rast
zvarritjeje, do të jemi të detyruar
t‘i padisim në organet kompetente
për shpërdorim detyre.
Ju keni qenë një nga ekspertët
e policisë për ndjekjen
e detyrimeve për
anëtarësim në NATO. Tani
që kjo u realizua, cili është
komenti juaj për këtë ngjarje?
Kam ndjekur për një periudhë
relativisht të gjatë kohe disa nga
detyrimet e kësaj fushe, nga cikli
1-8 të asaj që quhej MAP. Hyrja
në NATO është një nga ngjarjet
më historike të kombit tonë. Është
realizim i aspiratës prodemokratike
të tij, aq shumë të
nëpërkëmbur në vite. Megjithatë,
si çdo gjë e bukur në Shqipëri
(të cilat janë shumë të
rralla) nuk mund të mos lërë një
shije të hidhur veshja me ngjyra
partiake e këtij evenimenti. Ju
më pyetët si ekspert dhe unë ju
siguroj se, në këtë organizëm
kaq të rëndësishëm, u fut populli
dhe territori shqiptar. Politika
grindavece shqiptare, e cila
sot e trumbeton (privatizon)
këtë ngjarje, ka "meritën migjeniale"
të zvarritjes prej 18 vitesh
të këtij procesi. Pa folur për
standardet konkretisht, kemi
ende shumë të freskëta cenimet
e rënda të rendit kushtetues që
kanë ndodhur në Shqipëri.
Problemi ynë është se ne nuk e
kemi të keqen nga jashtë, por
mes njëri-tjetrit. Tani festa
mbaroi, nga sot ka përgjegjësi
për ta merituar këtë anëtarësim,
të cilat fillojnë realizimin e reformave
të munguara për arritjen
e standardeve. Përfitimi më
kryesor, për mua është se pas
kësaj date nuk ka më kthim prapa
në demokraci. Duam apo nuk
duam, do të hedhim këmbët sipas
ritmit të muzikës.
Jemi përpara zgjedhjeve
të përgjithshme. Shumë organizata
kanë shprehur
hapur qëndrimin e tyre dhe
i kanë bërë thirrje anëtarësisë
për të votuar në favor
të forcave të caktuara politike.
Po organizata juaj, a ka
ndonjë pozicionim?
Këto zgjedhje janë problemi
më madhor që ka sot vendi ynë.
Duke qenë indiferent ndaj rezultatit
të zgjedhjeve, na shqetëson
arritja e standardeve, pasi ka
të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë.
Shumë herë të lind
vetvetiu pyetja: "Vërtet, jemi kaq
të pazotë që nuk mund të organizojmë
dot zgjedhje demokratike,
kur jo vetëm fqinjët tanë e
kaluan këtë fazë, por edhe në
Afrikën e largët po organizohen?".
Për mendimin tim,
përgjigjja e kësaj pyetjeje është
shumë e thjeshtë: Janë segmente
të inkriminuara të politikës, të
lidhura me krimin e organizuar e
trafiqet ndërkombëtare, që
babëzisht kanë grabitur pronën
publike e kanë vënë pasuri me
anë të korrupsionit, të cilat na
detyrojnë të luajmë tangon e
procesit zgjedhor "dy hapa para,
një hap prapa". Ata i tmerron vendosja
e shtetit ligjor. Për sa i përket
pyetjes tuaj, siç e kemi shprehur
jo pak herë, ne jemi një organizatë
e depolitizuar dhe nuk
kemi asnjë lidhje me qëndrimet
e partive politike. Objektivi ynë,
përveç të tjerave, është forcimi i
shtetit të së drejtës. Por, duke
qenë një organizim vullnetar,
anëtarësia jonë është e lirë të
bëjë zgjidhje personale lidhur
me forcat politike.
Meqenëse dolëm te
zgjedhjet, si e shihni rolin
e policisë në zgjedhjet e
qershorit, pasi nga opozita
ka jo pak akuza për përdorimin
politikisht të policisë?
Nuk kam as tagër e as dëshirë
të komentoj deklaratat e politikanëve.
Predispozita ime është
të besoj se policia do ta kryejë me
sukses misionin e saj, për të qenë
e paanshme në procesin zgjedhor.
Për këtë është tradita pozitive
e tre-katër proceseve të fundit
zgjedhore, ku Policia e Shtetit
është certifikuar për rolin e saj asnjanës
e korrekt. Edhe legjislacioni
zgjedhor e lehtëson shumë
punën e policisë në këtë proces.
Udhëzimi i fundit i KQZ për këtë
rol është i qartë. Por, problemi
nuk është se ne na mungojnë ligjet
e aktet e shkruara, përkundrazi
ne kemi inflacion të tyre.
Lepuri fle tjetër kund, se predispozitë
kanë individët me fuqi
(dhe detyrim) administrative
për zbatimin e këtyre akteve.
Këtu prishet gjithçka.
Personalisht më frikëson (do
Zoti të jem i gabuar), kontingjenti
i politizuar që është rekrutuar
në radhët e policisë, jo i vogël në
numër, i cili është edhe
shqetësim për partnerët tanë
euroatlantikë. Departamenti
Amerikan i Shtetit, në shkurt
2009, tërheq vëmendjen se:
"Performanca e policisë, edhe
gjatë vitit 2008, vazhdoi të jetë e
dobët. Sjellja joprofesionale dhe
korrupsioni mbeten problemet
kryesore në krijimin e një force
policore efektive", OSBE (tetor
2008) ngre alarmin se: "Në polici
ka pasur shumë raste, sidomos
në fushën e emërimeve dhe largimeve,
ku vendimet janë marrë
nga instanca të larta politike"
Nuk e di sa do të jenë në gjendje
ta mbajnë nën kontroll dhe brenda
kornizës ligjore këtë kontingjent,
pasi ekziston rreziku
potencial që ky kontingjent militant
të vetaktivizohet.
Po ashtu, më ka bërë përshtypje
mosreagimi i policisë për
debatin që po zhvillohet mbi
numrin e shtetasve që nuk janë
pajisur me pasaportë. Është një
shifër (e pretenduar nga opozita)
rreth 200 mijë votues më
shumë se varianti zyrtar (e frikshme
për të qenë e vërtetë).
Mendoj se policia, si i vetmi organ
zyrtar që ka administruar këtë
proces, ka detyrimin jo vetëm ligjor,
por edhe publik, të sqarojë
me fakte e prova këtë problem.
Sa është numri i saktë i shtetasve
pa pasaportë. Thjesht kërkohet
përgjegjësi dhe disa veprime të
thjeshta kompjuterike. Bllokimi
që iu bë pajisjes së shtetasve me
pasaportat ekzistuese dhe futja
në fuqi e pasaportave të reja, në
një kohë kur procesi i pajisjes me
letërnjoftime është shumë kakofonik
dhe jo pak problemor, është
në rastin më të mirë i pakuptimtë.
Kësaj populli i thotë: "Të
lësh dasmën e të shkosh për shkarpa".
Ju përdorni një shprehje,
"partitë shkojnë e vijnë,
policia ngelet", atëherë
çfarë do t‘i sugjeronit
kolegëve tuaj në detyrë për
këtë proces?
Më shumë se sa sugjerim apo
apel, është një këshillë miqësore
në emër të organizatës sonë: Të
qëndrojnë sa më larg interesave
partiake në këto zgjedhje, pasi
pasojat do të jenë jo të lehta. Po
rikujtoj deklaratën e sekretarit të
Përgjithshëm të NATO-s, zotit
Shefer se "procesi zgjedhor në
Shqipëri do të shikohet me lupë".
E dyta që do t‘u thosha është që
të pezullojnë sa të jetë e mundur
lëvizjet e personelit, pasi në jo
pak raste, këto lëvizje janë bërë
objekt i kontestimeve politike.
Të organizojnë punën për
forcimin e sigurisë gjatë këtij
procesi, pasi në të tilla situata,
kriminaliteti ka ekspansion. T‘i
kushtojnë vëmendje të veçantë
dhe të parandalojnë çdo tendencë
që mund të shfaqet për
deformimin e rezultatit zgjedhor.
Në përfundim do të rikujtoja
se "pronarët" e vetëm të policisë
janë qytetarët, prandaj respekt
dhe vlerësim për ta.

Sindikata për kontratën: Përfitojnë edhe ish-policët

Për përfitimet e ish-punonjësve
të policisë në kontratën
kolektive të punës, e
cila u firmos pak ditë më parë, ka
folur edhe kreu i Sindikatës, Sadetin
Fishta. Ai deklaroi se me këtë
kontratë përfitojnë jo vetëm
punonjësit aktualë të policisë, por
edhe ata që janë me pagë suplementare,
me pension të parakohshëm,
apo pensionistët. Në
një prononcim, kreu i Sindikatës
së Policisë, Sadetin Fishta, si palë
punëmarrëse në këtë kontratë,
shprehet se kjo është e përcaktuar
edhe në kontratë. "Në nenin
2, ku flitet për bazën ligjore
mbështetëse të kontratës, deklarohet
se një ndër këto ligje është
edhe ai për pensionin suplementar
të punonjësve të Policisë
së Shtetit. Gjithashtu deklarohet
se nga kjo kontratë përfitojnë
punonjësit e Policisë së Shtetit,
ata që janë me pagë suplementare,
që aktualisht është brezi që
dolën në reformë trevjeçare për
shkak të ruajtjes së gradës. E veç
këtyre, përfshihen ish-punonjësit
e policisë me pension të parakohshëm
dhe pensionistët",
detajon kreu i Sindikatës së Policisë,
i cili edhe firmosi kontratën
pak ditë më parë me drejtorin e
Përgjithshëm të Policisë së Shtetit,
Ahmet Prençi.

Shpërblimet dhe pagat për policinë

Shpërblimi i punëmarrësit do të bëhet konform sistemit
të gradave policore, funksionit që ka fituar dhe
tabelave të pagës, duke respektuar vlerësimet dhe
përcaktimet e vendimet e Këshillit të Ministrave,
kontratës kolektive të punës, akteve ligjore, udhëzimeve
të ndryshme dhe akteve që dalin në vijimësi
nga institucionet ekzekutive
- Paga e punëmarrësit përbëhet nga paga bazë, që
është paga për gradë dhe nga shtesat mbi pagën
bazë (në përqindje ose në shumë absolute) për
kushte të tjera të veçanta të vendit të punës e të
shërbimit, përfshirë profesionin, kualifikimin dhe
kohën e qëndrimit në gradë për kompensim të privacioneve
dhe humbjeve që i krijohen punëmarrësit
për shkak të nevojave të punës e të shërbimit
- Punëmarrësi (punonjësi i policisë) përfiton edhe të
gjitha shtesat e tjera të veçanta mbi pagë, si dhe
shpërblime që përfitojnë punonjësit e tjerë të administratës
publike
- Punëmarrësi, në çdo fund të vitit financiar, përfiton
një shpërblim deri në një pagë mujore, të njëjtë me
atë të përfituar nga punonjësit civilë dhe punonjësit
e tjerë të administratës shtetërore
- Ky shpërblim jepet në bazë të një shkalle përpjesëtueshmërie
që pasqyron kohën e punës së kryer
nga punëmarrësi gjatë vitit financiar
- Punëmarrësit që nuk kanë mungesa në punë, për
çfarëdo arsye, përveç kohë së pushimit, kanë të
drejtën e shpërblimit të plotë
- Gjithashtu, punëmarrësi përfiton shpërblim shtesë
në masën 10000 (dhjetëmijë) lekë, në bazë të VKM,
nr. 434, datë 28.06.2006



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›