E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjedisi, përafrimi me standardet europiane, një objektiv themelor i ministrisë

Përafrimi i standardeve mjedisore me ato të Komunitetit Europian në të gjitha fushat mbetet objektiv themelor i programit të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave. Ky program  udhëhiqet nga vizioni për të përmirësuar më tej cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë mbi bazën e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, u shpreh ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, në Kuvend, gjatë prezantimit të objektivave të dikasterit që drejton. Nisur nga kjo, sipas MMPAU-së, administrimi modern i mbetjeve të ngurta dhe ndërtimit të vendepozitimeve sanitare (landfilleve) rajonale të kontrolluara, sipas standardeve të Bashkimit Europian, është një nga drejtimet e punës së këtij dikasteri. Brenda 4 viteve të ardhshëm synohet sistemimi dhe trajtimi i mbetjeve në Qarkun e Tiranës dhe Durrësit, në Qarkun e Fierit, Korçës, Elbasanit dhe Vlorës dhe qendra më të vogla urbane. Ndërsa, paralelisht do të punohet për hartimin dhe zbatimin e politikave nxitëse dhe mbështetëse për fuqizimin e sektorit të riciklimit të mbetjeve. Burime nga MMPAU thanë se një tjetër drejtim i punës është përmirësimi i cilësisë së ajrit në të gjitha qendrat urbane, për të cilën ky dikaster kërkon bashkëpunimin me pushtetin vendor për miratimin e planeve rregulluese urbane. Sa i takon grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të zeza, do të punohet në të gjithë territorin e vendit, ndërsa me përparësi do të jenë zonat turistike të vendit, duke përfshirë Durrësin, Kavajën, Lezhën, Shkodrën, Vlorën, Himarën, Sarandën dhe Pogradecin. Mbrojtja e pyjeve, pejzazhit, ekosistemeve natyrore dhe shtimi i tyre do të mundësohet nëpërmjet mbjelljes çdo vit të mbi 1 milionë fidanëve pyjore dhe rehabilitimin e sipërfaqeve të djegura apo dëmtuara, kjo dhe nëpërmjet bashkëpunimit me pushtetin vendor, me komunitetin dhe organizatat jofimimprurëse. Ndërsa, sa i takon zonave të mbrojtura, synohet që në vitin 2013 të arrijnë në 17% të sipërfaqes së vendit. Gjithashtu, do të punohet për mbrojtjen e cilësisë së burimeve ujore nga ndotjet, përmirësimin e mëtejshëm të menaxhimit të integruar të burimeve ujore mbi bazën e Baseneve Ujore dhe përdorimin racional të tyre. “Brenda vitit 2013, mbi bazën e studimeve dhe projekteve të veçanta do të krijohet dhe vihet në funksionim Sistemi i Kadastres së Ujrave, si dhe do të punohet edhe për rregullimin përfundimtar, sipas legjislacionit ndërkombëtar, të çështjeve të burimeve ujore me vendet fqinje”, pohojnë burimet nga MMPAU. Një punë e konsiderueshme pritet të realizohet në fushën e peshkimit, zhvillimi i të cilit synohet nëpërmjet plotësimit e përmirësimit të mëtejshëm të infrastrukturës portuale. Gjatë 4 viteve parashikohet të ndërtohet porti i ri i peshkimit në Durrës, të thellohen e pastrohen portet e peshkimit në Vlorë e Shëngjin, si dhe të ngrihen markata të peshkut në 4 qytete portuale të vendit.  Burimet theksojnë se do të punohet jo vetem për miratimin e standardeve ligjore të Komunitetit Europian, por edhe për kontrollin e zbatimit të legjislacionit, përmes reformimit dhe fuqizimit të Institucioneve Rajonale Mjedisore (Mjedis, Pyje, Zona të Mbrojtura, Ujëra) dhe Inspektoriateve përkatëse, fuqizimit të kapaciteteve administruese të njësive të qeverisjes vendore, nëpërmjet strukturës së re të Shërbimit Këshillimor në pyje si dhe parandalimit e goditjes së çdo aktiviteti të paligjshëm me ndikim në mjedis. Burimet sqarojnë se përmirësimi i komunikimit, ndërgjegjësimit, informimi i publikut mbi gjendjen në mjedis, por edhe fuqizimi i sistemit të monitorimit të mjedisit, që do të mbulojë të gjithë komponentët kryesorë mjedisorë, janë drejtime të punës së Ministrisë së Mjedisit. Monitorimi do të masë dhe efikasitetin e politikave në fushën mjedisore dhe do të orientojë përpjekjet për një mjedis të pastër e cilësor, pohojnë të njëjtat burime.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›