E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksionet e cunguara të një Ambasadori në Tiranë

Olsi Baze

Dy javët e fundit që kaluan ishin të mbartura me shumë ngjarje dhe zhvillime në Shqipërinë e ngarkuar politikisht dhe emocionalisht. Në një vend që ndërton demokracinë dhe shoqërinë e lirë pas 50 vitesh totalitarizëm, debati është jashtëzakonisht i dobishëm, kur ai është produktiv dhe ndërtues për shoqërinë.
Ngjarjet që morën më shumë vëmendjen time këto dy javë ishin; e para, letra e publikuar në një të përditshme shqiptare nga Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulta, ku i bënte thirrje shoqërisë shqiptare të pranonte homoseksualitetin si fenomen, e dyta vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpallte jokushtetues ligjin e Lustracionit, i domosdoshëm për shoqërinë shqiptare; dhe ngjarja e fundit, e cila po komentohet gjerë e gjatë në media është fyerja publike, që Greqia i bëri Shqipërisë ditën e kremtimit të pavarësisë greke.
Të tria ngjarjet në fjalë janë të ndërlidhura dhe pavarësisht dinamikës së ndryshme, fokusohen te çështje të së drejtës së individit, për të kërkuar drejtësi dhe status të barabartë në shoqërinë ku evoluon, por që diplomatikisht nga një përfaqësues diplomatik nuk trajtohet në të njëjtin nivel.
Revolucioni francez kishte si parullë shprehjen “Liri, Barazi dhe Vllazëri”, por edhe pse shkruhet në të gjithë emblemat e Revolucionit, shumë kategorive të njerëzve ju mohonte të drejtat themelore. Edhe pse kanë kaluar plot 218 vjet nga lindja e parimit revolucionar, do të duhen ende shumë kohë që një vend si Franca të mund ta realizojë plotësisht atë parullë.
Ambasadori i Vendeve të Ulta në Shqipëri, në një letër të hapur në shtyp për shoqërinë shqiptare, i bërë thirrje kësaj të fundit të pranonte homoseksualitetin si fenomen dhe mos të kishte frikë prej tij dhe t’i trajtonte anëtarët e këtij komuniteti me të drejta të plota.
Megjithë rezervat e mia mbi ndërhyrjen e kryediplomatit të Vendeve të Ulta, në çështje që nuk janë të fushës diplomatike, në kuadër të misionit të tij për të cilin taksapaguesit holandez e paguajnë, thirrjen e tij e konsiderova si një apel në kuadër të respektimit të të drejtave të njeriut.
Falë ligjit kundër diskriminimit të miratuar nga Qeveria shqiptare, shumë minoranca do të mbrohen nga ky ligji, sepse ai i jep çdonjërës prej tyre shanse të barabarta, duke i trajtuar njësoj para ligjit dhe duke i mbrojtur nga diskriminimi.
Në Shqipëri, ndoshta Ambasadori holandez nuk e di, jetojnë me qindra njerëz të cilët vuajtën për gati 50 vite me radhë, një nga diktaturat më gjakatare që ka njohur Evropa.
Familjarë viktimash, ish-të burgosur politikë, janë njerëz që kërkojnë prej vitesh drejtësi dhe të vërtetën, në mënyrë që të kuptojnë se cili ishte mekanizmi i cili bëri që të jetonin një ferr të vërtetë.
është e trishtueshme që asnjë ambasador i huaj nuk është prononcuar me një letër të hapur që t’i kërkojë shoqërisë, të respektojë të drejtat dhe mekanizmat e funksionimit të diktaturës shqiptare, për të nxjerrë para ligjit dhe drejtësisë përgjegjësitë e çdokujt që drejtoi ato mekanizma vrasëse.
Unë do të isha shumë entuziast të shihja një diplomat, pse jo atë të Holandës, t’i bënte thirrje shoqërisë shqiptare të pranonte një autopsi të diktaturës që kaloi Shqipëria dhe të parandalonte individë që kanë bërë krime, torturë dhe ekzekutuar të pafajshëm të vazhdojnë pa asnjë lloj morali karrierën në administratën e lartë shtetërore, sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Në Holandë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga 140.000 hebrenj që jetonin para luftës, vetëm 30.000 mbijetuan. Pas luftës, Parlamenti holandez, shoqata të ndryshme zbardhën mekanizmin, i cili kishte bërë të mundur eksterminimin e njerëzve të pafajshëm dhe ingranimin në formacionet SS të mijëra të rinjve holandeze, që kryen krime në vendet ku shërbyen Rajhun e Tretë.
Në Shqipëri duhet të zbatohet i njëjti mekanizëm, njerëzit që kanë përjetuar ferrin e diktaturës kërkojnë të drejtën e tyre për të ditur, të drejtën që njerëz që kanë vrarë, urdhëruar, torturuar, zhdukur njerëz të pafajshëm, të përgjigjen para drejtësisë. Ata janë me qindra, shumë herë më shumë se komuniteti homoseksual, dhe kanë nevojë që të mbështeten më shumë se të parët në kauzën e tyre.
Më datë 25 mars 2010, populli shqiptar fyhej nga shteti grek, ndërsa në paradën e përkujtimit të Pavarësisë së Greqisë, një tokë ushtarake greke, pjesëtare e Atlantikut të Veriut, fyente shqiptarët në mënyrë tejet primitive. Shoqëria shqiptare nuk pa ndonjë ambasador mik, as atë holandez, të shkruante një letër për të dënuar një shtet anëtar të NATO-s dhe BE, i cili bëri fyerje publike ndaj një vendi fqinj, po anëtar i NATO-s, i cili është faktor stabiliteti në rajon dhe prodhon stabilitet.
Shoqëria shqiptare atë ditë kishte nevojë për të dëgjuar një zë miqësor, i cili t’ju deklaronte se grekët duhet t’i pranojnë shqiptarët si qenie njerëzore, një popull i lashtë po aq sa grekët dhe që po ndërton të ardhmen e tij pas një traume 50- vjeçare, sepse edhe shqiptarët kanë të drejta të barabarta me kombet e tjera në botë.
Të tre ngjarjet janë të lidhura me njëra-tjetrën sepse flitet për të drejta, liri themelore dhe dinjitet njerëzor në tërësi dhe jo në preferenca selektive, duke shkaktuar padrejtësinë.
Një histori në Orientin e Largët tregon sesi një grup dijetarësh talleshin me një kolegun e tyre se nuk dinte not, duke i argumentuar këtij të fundit që kishte humbur gjysmën e jetës për këtë arsye.
Dijetari pasi meditonte fjalët e miqve të tij vështroi se këta të fundit po i merrte rryma e lumit, i cili po i mbulonte dhe që po kërkonin ndihmë. I pafuqishëm për t’i ndihmuar, i trishtuar për çka po i shihnin sytë, u përsëriti miqve të tij se i vinte shumë keq që po humbnin përgjithmonë gjysmën e jetës së tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›