Tentoi përdhunimin e shoqes së vajzës, kapet
TEPELENE - Ka dështuar tentativa e një 38-vjeçari nga Tepelena për të përdhunuar të miturën, shoqen e klasës së vajzës së vet. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur mesditën e së premtes në qytetin e Tepelenës, duke shënuar rastin e parë në këtë qytet gjatë dhjetë viteve të fundit. Q.çunaj, 38 vjeç është arrestuar nga uniformat blu të Tepelenës, disa orë pas ngjarjes, e cila kishte për protagonist atë dhe shoqen e klasës së vajzës së vet, të miturën S.L. 11 vjeçe. Kjo e fundit ka rrëfyer gjithë dramën 15 minutëshe në polici në praninë e prindërve të vet dhe psikologes, e cila pati konstatuar tek e mitura shenja të qarta paqëndrueshmërie dhe ankthi. Sipas versionit të së miturës, ngjarja zë fill në orët e mëngjesit të së premtes kur ajo shkoi në shtëpinë e çunajt për t’i folur vajzës së tij të bënin rrugën bashkë për në shkollë si çdo ditë të javës. Ka qenë ora 08:00, kur ndërsa thirri shoqen, i ati i ka thënë të hynte në shtëpi së po e priste aty. Por, kur ka hyrë brenda, e mitura është përballur me ngacmimet e 38-vjeçarit. Vetëm të thirrurat e saj kanë bërë që burri ta lërë të lirë vajzën e vogël. Pas denoncimit, policia prangosi çunajn. p.n