Vrasja e Aleks Kekës, 1 vit pa autor
Dje është mbushur një vit nga vrasja mafioze e ish-kreut të Partisë Demokristiane në Malësinë e Madhe, Aleksandër Keka.
Aleksandër Keka vdiq më 16 qershor të vitit 2009, kur në automjetin me të cilin udhëtonte nga Bajza për në Shkodër shpërtheu një sasi e madhe eksplozivi. Shpërthimi, që sipas ekspertëve ndodhi pikërisht poshtë ndenjëses së shoferit, shkatërroi krejtësisht makinën dhe copëtoi trupin e Kekës.
Nga mënyra se si ka ndodhur shpërthimi dhe forca shkatërruese e tij, dyshohej se lënda eksplozive ishte e tipit C4 dhe është aktivizuar nga distanca me anë të një telefoni celular.
Pista kryesore që paraqiti policia një vit më parë për ngjarjen ishte ajo e vendosjes së eksplozivit në makinë nga persona të paidentifikuar dhe ajo e plasjes së eksplozivit nga ana e vetë viktimës për shkak të pakujdesisë. Pavarësisht pistave dhe hetimeve, ngjarja në fjalë sot nuk ka asnjë motiv zyrtar dhe të dyshuar apo të ndaluar në lidhje me të.
Pas ngjarjes pati dhe deklarata të forta politike, ku drejtues të Partisë Demokristiane e cilësuan ekzekutimin e Aleksandër Kekës dy javë para zgjedhjeve parlamentare si një akt me motive të pastra politike.
Aleksandër Prekë Keka, i vitlindjes 1975, lindur e banues në fshatin Pjetroshan të Komunës Kastrat në Malësinë e Madhe, kishte shtetësi shqiptare dhe amerikane. Ai ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë. Vëllezërit dhe të afërmit e Aleksandër Kekës jetojnë prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pavarësisht deklaratave të Policisë së Shtetit se Keka ishte i përfshirë në trafikun e minave me celular nga Mali i Zi, dosja e tij penale ishte e pastër.
Aleksandër Keka njihej në Shkodër dhe në Malësi të Madhe si biznesmen në fushën e ndërtimeve dhe që nga viti 2007 e deri 2009 ka qenë kryetar i Këshillit të Komunës Bajzë dhe anëtar i Këshillit të Qarkut të Shkodrës.
Që nga viti 1999 Keka kishte nisur biznesin e ndërtimeve, që e kishte shtrirë në qytetet e Shkodrës dhe Tiranë. Që nga viti 2005 ai ishte zgjedhur nënkryetar i degës së Partisë Demokristiane në Malësi të Madhe dhe që nga viti 2007 ishte kryetar i kësaj dege.
#