Mjegulla përplas makinat, 1 i vdekur 3 të plagosur
Si pasojë e përplasjes së rëndë, Nail Truma, 55 vjeç, nga Shkodra, një nga personat që udhëtonin në makinën benz ka humbur jetën, ndërsa 9 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur
Kukës-Një i vdekur dhe të paktën 9 të plagosur në një përplasje të trefishtë makinash në Morinë të Kukësit. Mjegulla dhe shpejtësia që, sipas policisë, kanë qenë arsyet e aksidentit, kanë sjellë përplasjen e tre mjeteve, një kamionçine, një furgoni udhëtarësh dhe një veture. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se aksidenti i rëndë ka ndodhur rreth orës 8:00 të mëngjesit të djeshëm, në afërsi të urës së ish-uzinës së Bakrit, rreth 4 kilometra larg qytetit të Kukësit ku një kamionçinë me targa kosovare, një furgon po me targë kosove dhe një benz me targë Tirane, janë përplasur me njëri-tjetrin ndërsa vinin nga drejtime të ndryshme. Burime nga policia thanë se, si pasojë e përplasjes së rëndë, Nail Truma, 55 vjeç, nga Shkodra, një nga personat që udhëtonin në makinën benz, ka humbur jetën.
Dinamika e aksidentit është ende e paqartë dhe policia që ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes shpjegon se është ende duke punuar për të zbardhur sesi ka ndodhur përplasja. Ndërkohë bëhet me dije se drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksident dhe pasagjerët e fugonit kanë mbetur gjithashtu të plagosur. Të 8 pasagjerët e furgonit kanë mbetur të plagosur, por pa pasoja për jetën, ndërsa janë dërguar në spitalin civil të qytetit të Kukësit për të marrë ndihmën mjekësore. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, ndërsa kanë nisur hetimet për shkaqet e aksidentit të rëndë. Mendohet se shkak i aksidentit ka qenë mjegulla e dendur në atë moment në rrugë dhe shpejtësia e madhe e mjeteve në autostradë.