E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zot, mos na lër në errësirë!

Energjia e rinovueshme është më e mira mundshme në këtë drejtim, por ndryshimet klimaterike kanë bërë që të mos lidhen edhe aq shumë shpresat për këtë lloj energjie.

Në periudha të caktuara të vitit, reshjet mungojnë e kjo do të thotë se ka më pak prodhim energjie. Tashmë kur jemi thuajse në fund të muajit nëntor, në vendin tonë ka rënë shumë pak shi.

E përkthyer në energji, niveli i liqenit të Fierzës, më i madhi në vend, ka pësuar ulje të ndjeshme. Kufizimet e energjisë elektrike kanë nisur në shumë zona. Gazeta Start mëson se në shumë zona të vendit, energjia mungon të paktën dy orë në ditë, kryesisht gjatë darkave.

Ndërsa në Fierz niveli ka rënë me 260 metër nga 285 metër që ishte niveli maksimal i shënuar në dhjetorin e vitit të shkuar, kur pati sasi të mëdha shirash. Në nëntor prurjet ishin vetëm 34 metër kub në sekondë nga 204 metër që ka qenë mesatarja 50-vjeçare e këtij muaji. Të gjitha hidrocentralet e kaskadës prodhojnë aktualisht vetëm 6 milionë kilovat orë në ditë, ndërkohë që konsumi është në nivele maksimale gati 4 herë më shumë.

Në këtë situatë, Korporata Energjetike është detyruar të importojë sasi të mëdha energjie. Aktualisht-sipas tv Top-Channel-importi i energjisë ka arritur rekordin historik, gati 17 milionë kilovat orë në ditë, duke bërë që Korporata, e drobitur financiarisht, të shpenzojë 30 milionë euro në muaj, për të blerë energji. Në total, gjatë gjithë vitit, KESH ka prodhuar 3.7 miliardë kilovat orë në vend, ndërsa është detyruar të importojë 2.6 miliardë të tjera. Për shkak të kësaj situate, KESH është në vështirësi urgjente financiare.

Vijnë reshjet

Gjatë ditës së martë, e gjithë hapësira gjeografike e Shqipërisë do të mbulohet nga retë e dendura të shoqëruara me reshje shiu.  Sipas specialistëve të meteorologjisë në Meteoalb, reshjet do të vijojnë gjatë gjithë ditës së nesërme, si dhe të mërkurën dhe të enjten.

“Në zonat malore do të ketë reshje bore. Shira më të dendur do të ketë në veri dhe në qendër të vendit, ndërsa pjesa e jugut shira më të paktët. Gjatë së mërkurës dhe të enjtes do të ketë reshje, por në intensitet më të ulët. Ndërsa fundi i këtij muaji do të mbyllet me mot të kthjellët”, theksoi Lajla Porta nga Metoalb.

Ajo shtoi se do të ketë rritje të lehtë temperaturash në vlerat e tyre minimale, megjithëse në zonat malore ato do të jenë sërish nën zero, ku sot regjistrohen me minus 6 gradë celsius. Në zonat e ulëta, rritja e temperaturave do të jetë me 2 deri në 3 gradë celsius. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-11-21 17:21
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›