E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekë të përgjakur

Agron Ylli, njëri prej ekspertëve më të shquar shqiptar për diabetin, ishte dje viktima e radhës. Mjeku i nderuar i Spitalit Ushtarak, u bë pre e sulmit në klinikën e tij private dhe vetëm falë ndërhyrjes së kolegëve është jashtë rrezikut për jetën. Motivi i sulmit nga agresori, sipas të dhënave të para, është banal: Nuk pranoi të jepte një raport mjekësor të padrejtë. Rasti i tij pason atë të kolegut tjetër, po të spitalit Ushtarak, Myftar Torba, më 22 tetor, i cili u dhunua fizikisht në mjediset e spitalit më të madh të vendit, nga një i afërm i pacientit të radhës.

Këto dy emra janë shumë pak prej listës që po mbushet me emrat e mjekëve me bluza të përgjakura, jo prej profesionit, por prej skizofrenisë anti-mjek, që ka kapluar opinionin publik dhe që është mbarsur nga politika qeverisëse.

Të gjithë jemi dëshmitarë të atij realiteti denigrues që ndeshet sot në sistemin shëndetësor shqiptar: Spitale të rrënuara, pacientë të keqtrajtuar, shërbime shtetërore që paguhen si në privat, familjarë të stresuar për të siguruar nga batanijet te ilaçi më i lirë indian, që shteti nuk ta siguron dot. Mjekët janë bërë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë të kolapsit që ka mbërthyer sektorin më nevralgjik të shërbimeve, sistemin shëndetësor, i cili megjithatë nuk ka pasur asnjëherë vendin që meriton në projektbuxhetet e qeverive shqiptare. Ashtu siç po ndodh me projektbuxhetin 2009, ku pjesën e luanit e merr një rrugë, duke lënë pas liste shëndetësinë apo arsimin. Një buxhet i merituar nuk do të thoshte vetëm kushte njerëzore për pacientët në pavijonet dhe sallat, ku një fije e ndan jetën nga vdekja, por edhe një respekt më i madh për figurën e mjekut. Deri më sot ai është lënë si një buxhetor me “vetadministrim”, që duhet ta rregullonte pozitën e tij sociale dhe profesionale, vetëm duke vjelë të ardhurat nga vendi i punës, qoftë edhe në mënyrë të pamerituar, dhe në kurriz të skemës së sistemit shtetëror të shëndetësisë. Ndaj, nuk është për t’u habitur pse një profesionist me një “gomar” shkollë dhe titujsh shkencorë të firmosë në borderonë shtetërore edhe 38 mijë lekë të rinj në muaj, apo sa gjysma e rrogës që merr njëra prej dhjetëra bukuraneve që shërbejnë si zëdhënëse, duke lexuar një herë në muaj traktet-deklarata të ministrave.

Këta profesionistë janë trajtuar nga qeveritë e paafta si pjesa më e inkriminuar e sistemit shëndetësor të vendit. Disa herë, me fushata, u është dhënë ultimatum që të heqin dorë nga puna në klinikat private, me të cilat kompensojnë ato që nuk ua siguron shteti. Kur ka dështuar kjo fushatë, ka nisur ajo e arrestimeve spektakolare dhe spektakle të tilla kanë ndodhur shumë. Njërën prej viktimave e gjen te një pallat afër Brrylit, në Tiranë. Quhet Kastriot Dautaj. Profesori ishte arrestuar pas një skeme të sajuar nga antikrimi ekonomik. Është lënë në arrest shtëpiak dhe tani, disa muaj pas lënies në arrest shtëpiak, është tjetërsuar, dhe është pak të thuash se vetëm karriera e tij ka marrë fund. Rasti më i fundit është edhe më spektakolar. Kirurgu i Onkologjikut, Agim Karaj, u mor me mjetin e policisë së shtetit dhe u kthye në spital për ta bërë shembull për pacientët dhe mbarë opinionin si mitmarrës. Furgoni i policisë për pak sa nuk u fut në ndërtesë për ta bërë sa më policesk edhe këtë arrestim në emër të antikorrupsionit. Një veprim që indinjoi bluzat e bardha dhe frustoi qeverinë më të akuzuar për korrupsion, e cila nuk e fsheh se shpreson që, me këto prangosje spektakolare të fitojë pakëz simpati në popull. Paçka se është ajo dhe qeveritë pararendëse që kanë krijuar këtë mjedis kaq mbytës në kampuset spitalore të vendit. Nëse prej shumë muajsh, sot dhe në muajt në vazhdim, ende nuk do të ketë ilaçet më të domosdoshme në Qendrën Universitare “Nënë Tereza”, fajtori i vetëm është qeveria, e cila mban përgjegjësi për drejtimin korruptiv që iu bë sistemit shëndetësor nga ministrat dhe njerëzit, që ata sollën nga rruga, për t’i vënë në krye të bluzave të bardha. Nëse shëndetësia është sot pika më e errët e buxhetit të shtetit dhe nuk dihet se ku përfunduan miliona euro të buxhetit të shtetit apo të ndihmave nga donatorët e huaj, kjo është rezultantja e pazareve politike të momentit për ta perceptuar shëndetin publik si një copë torte, në këmbim të disa votave në Kuvend.

Nëse sot ende vijon shqetësimi i bluzave të bardha se si në mes të ambienteve shtetërore mbijnë biznese private mjekësore me firmat e qeveritarëve, kjo tregon se jo vetëm nuk ka strategji për të përmirësuar shërbimin shtetëror, por po mendohet se si të fitohet, duke futur skemën e shtrenjtë private në kurriz të pacientëve të varfër shqiptarë. Mjekët? Janë po ata, të cilët nuk e dinë se nga duhet të ruhen, nga shteti që të përbalt, apo nga një opinion që të përgjak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›