Defekti, kompleksi i spitaleve në Shkodër pa energji
Shkodër- Që nga mesdita, spitali në Shkodër ka mbetur pa energji elektrike. Shkak është bërë një defekt elektrik që ka ndodhur në zonën që furnizon me energji spitalin, duke shkaktuar probleme të shumta në ecurinë normale të punës në të.
Sipas burimeve nga spitali, mësohet se energjia është shkëputur në kohën e drekës, ndërkohë që u njoftuan menjëherë specialistët për të bërë riparimet e nevojshme.
Nga të dhënat e para, mësohet se defekti është shkaktuar nga plasja e një kablli në kabinën elektrike që furnizon kompleksin spitalor te lagja “Skenderbeg”. “Për pasojë spitalet mbetën pa drita”- thanë burimet nga Shkodra.
Specialistët janë vënë në punë për rikthimin e energjisë, ndërkohë që mjekët ankohen se nuk mund të shtyjnë gjatë pa drita. Duhet thënë që spitali nuk ka linjë të dytë furnizimi, kurse i vetmi gjenerator që është në dispozicion vihet në funksionim vetëm për rastet urgjente në sallat e ndërhyrjeve kirurgjikale, pasi nuk është në gjendje të furnizojë gjithë spitalin.