Pronarët çojnë AKKP në Kushtetuese
Ish-pronarët: Ekzekutivi nuk mund të marrë kompetencat e gjykatës për anulimin e titujve të pronësisë
“Komisioni ka të drejtë të bëjë kontrollin, të verifikojë çfarë do lloj shkeljeje, por vendimi duhet t’i takojë gjykatës”
Pas “Legalizimeve”, edhe “Pronat” përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa ligji i parë, ai “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e zonave informale”, është ankimuar nga një grup deputetësh, kërkesa për shfuqizimin e ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, është bërë nga ish-pronarët. Bëhet fjalë për shfuqizimin e dy ndryshimeve që i janë bërë këtij ligji gjatë vitit 2007 dhe që konstatojnë në kompetencat që i jepen kreut të zyrës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Qendër, për të riverifikuar dhe shfuqizuar njëkohësisht vendimet e marra nga komisionet e mëparshme.
Kërkesa
Kërkesa që është depozituar në gjykatë disa ditë më parë nga “Shoqata Pronësi me Drejtësisë”, por që nuk është protokolluar në mënyrë zyrtare për shkak të një problemi në dokumentacion, përmban pretendimet e kësaj shtrese për shfuqizimin e neneve 16 dhe 18 të këtij ligji, ku dhe përcaktohen kompetencat e AKKP-së për të rishqyrtuar dhe zhvleftësuar të gjitha vendimet e mëparshme që janë marrë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit, që kanë vepruar në vendin tonë prej më shumë se 15 vjetësh. Ish-pronarët, në kërkesën e tyre vlerësojnë si antikushtetues kompetencën që i është dhënë nëpërmjet këtij ligji kreut të kësaj agjencie, e cila është në varësinë direkte të qeverisë për të shfuqizuar në mënyrë administrative vendimet e marra më parë nga komisionet pararendëse. Në bazë të këtij ligji dhe, më konkretisht, të këtyre dy neneve kreu i AKKP-së ka të drejtë që të anulojë vendime të Komisionit të Kthimit të Pronave të mëparshme, qoftë edhe ato të marra gjatë vitit 1993-1994, edhe pse mund të jenë të formës së prerë. Sipas tyre, kjo e drejtë nuk mund t’i përkasë asnjë institucioni tjetër, përveçse gjykatës, e cila ka të gjithë tagrin e duhur kushtetues për të shqyrtuar çdo mosmarrëveshje apo pretendim për çështjet e pronësisë. Gjithashtu, në këtë kërkesë kundërshtohet edhe e drejta që i jepet Avokatit të Shtetit për të bërë ankim në zyrën e AKKP-së në qendër, kundër vendimit të njohjes së të drejtës së pronësisë, kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të drejtave të tjera reale të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave.
Pronarët
Në kërkesën e saj, shoqata “Pronësi me Drejtësi”, argumenton se është antikushtetuese që një vendim i një komisioni të kthimit dhe kompensimit të pronës, i cili ka marrë formë të prerë, të mund të shfuqizohet në mënyrë administrative nga ana e një titullari që emërohet nga qeveria. “Ne e kundërshtojmë këtë, se nuk është e drejtë e ekzekutivit që të ndërmarrë një nismë e tillë. Kjo e drejtë i përket gjykatës. Komisioni ka të drejtë të bëjë kontrollin, të verifikojë çfarëdo lloj shkeljeje që është bërë qoftë edhe ndër vite, por vendimi duhet t’i kalojë gjykatës, nuk ka ai asnjë të drejtë që të anulojë vendimin vet”, - u shpreh për gazetën, Reshit Vorpsi, një nga drejtuesit e kësaj shoqate. Ndërkohë, sipas kësaj shoqate, shkelja ligjore bëhet edhe me e madhe po të kihet parasysh se, në bazë të vendimeve që kanë marrë këta komisione në vite, mund të jenë krijuar marrëdhënie të tjera transaksionesh si, shitje-blerje, investime, etj. “Kjo dëshirë e ekzekutivit për të marrë kompetencën e anulimeve të vendimeve të mëparshme, mund të krijojë dhe një kolaps të plotë, pasi këto vendime mund të kenë sjellë pasoja juridike, pra mund të jenë bërë transaksione të ndryshme, apo veprime të tjera”, - tha më tej Vorpsi. Kjo shoqatë shpreh shqetësimin që lind nga dhënia e një të drejte të tillë qeverisë, pasi ligji mund të përdoret për të dhënë vendime sipas interesave të caktuara në mënyrë arbitrare.
Dy nenet e ankimuara
Neni 16, i ndryshuar
"l. Zyra e AKKP-së në qendër ka këto përgjegjësi:
c) Shqyrton ankimin ndaj vendimeve të zyrës rajonale të AKKP-së në qark, apo ish-komisionit vendor për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ish-komisioneve të rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve;
ç) Mund të shqyrtojë, me nismën e vet, vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qark, apo ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ish-komisionet e rretheve ose bashkive për kthimin, ose kompensimin e pronave ish-pronarëve.
Në zbatim të përgjegjësive të veta për kompensimin, zgjidhjen e ankimeve dhe shqyrtimin, kryesisht të vendimeve të dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qark, apo ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ish-komisionet e rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, shprehet me vendim".
2. Pika 3 ndryshohet si më poshtë:
"3. Vendimet e parashikuara në pikat 1 e 2 të këtij neni, duhet të jenë në formë të shkruar, të arsyetuara, të nënshkruara nga titullari dhe të përmbushin kërkesat për aktin administrativ, të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative. Kur vendimi i parashikuar në pikat 1 e 2 të këtij neni nuk ankimohet, ose nuk shqyrtohet nga Drejtori i AKKP-së brenda afateve të parashikuara nga ky ligj, ai përbën titull ekzekutiv. Ngarkohen zyrat e përmbarimit për ekzekutimin e tij, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile.".
Neni 18, i ndryshuar
"1. Kundër vendimit të njohjes së të drejtës së pronësisë, kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të të drejtave të tjera reale të zyrës rajonale të AKKP-së në qark, subjekti i shpronësuar ose Avokatura e Shtetit, kanë të drejtë të bëjnë ankim, brenda 30 ditëve nga njoftimi i këtij vendimi, në zyrën e AKKP-së në qendër.
2. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së ka të drejtë të shqyrtojë kryesisht, brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit, vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qark. Drejtori i Përgjithshëm shqyrton edhe vendimet e dhëna nga ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe ish-komisionet e rretheve, ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve. Pas shqyrtimit kryesisht, ose shqyrtimit të ankimit, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së vendos:
a) Lënien në fuqi të vendimit;
b) Shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të tij;
c) Kthimin për rishqyrtim në zyrën rajonale të AKKP-së.".