Kushtetuesja: Ligji cenon pavarësinë e Konferencës Gjyqësore
Ligji për “Organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”, i rrëzuar pak javë më parë nga Gjykata Kushtetuese, do të duhet të ribëhet nga e para. Kjo pasi, vendimi i kësaj gjykate ka qenë pothuajse tërësisht në mbështetje të të gjitha pretendimeve të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, sipas të cilëve, legjislativi gjatë miratimit të tij, ka shkelur Kushtetutën në disa nene të saja. Gjykata Kushtetuese ka publikuar dje të plotë vendimin e saj për kërkesën e gjyqtarëve, duke argumentuar në detaje të gjithë vendimmarrjen e saj për rrëzimin e ligjit si antikushtetues. Kështu, në lidhje me kërkesën e palës paditëse, se Konferenca Gjyqësore Kombëtare është një institucion i parashikuar në Kushtetutë dhe, për rrjedhojë miratimi i ligjit të saj duhet të ishte bërë me një shumicë të cilësuar votash, Gjykata Kushtetuese nuk ka nguruar t’i japë të drejtë këtij pretendimi. Duke i bërë një analizë të hollësishme termit institucion kushtetues, kjo gjykatë konkludon se Konferenca Gjyqësore Kombëtare, nga Kushtetuta ka fituar personalitet juridik dhe është njohur si i vetmi organizëm vendimmarrës, i pajisur me kompetencën kushtetuese për të zgjedhur 9 gjyqtarë në funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe, për rrjedhojë, nuk përjashtohet nga rregullimi procedural i nenit 81, i ligjit themeltar të shtetit, i cili përcakton votimin e ligjit organizativ të këtij institucioni me 3 të pestat. Ndërkohë që, në lidhje me pretendimin tjetër se ligji i miratuar nga Kuvendi në vitin 2005 për organizimin e këtij institucioni, nuk respekton të drejtën demokratike të të gjithë gjyqtarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e vet në Konferencën Gjyqësore, Gjykata Kushtetuese argumenton se, edhe në këtë rast ligji bie në kundërshtim me Kushtetutën. Lidhur me të, Gjykata vlerëson se përcaktimi dhe pozicioni i pjesës drejtuese të gjyqësorit në Konferencën Gjyqësore Kombëtare, sipas ligjit, krijon një standard të dyfishtë dhe i vendos gjyqtarët në pozita jo të njëjta, për sa i përket ushtrimit të së drejtës dhe të detyrës kushtetuese për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. “Ky rregullim i ligjit, përveçse nuk është në përputhje me konceptin e Kushtetutës, krijon hapësirë për ndikim të papërshtatshëm nga funksionarë të ndryshëm brenda Konferencës Gjyqësore dhe, për rrjedhojë, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Gjykata e çmon të nevojshme të theksojë se tërësia e gjyqtarëve të të gjitha niveleve si një organizëm vetërregullues, duhet të ndërtohet mbi bazën e parimeve dhe të standardeve kushtetuese, në respekt të pavarësisë së jashtme dhe të brendshme të gjyqësorit e të gjyqtarëve, me qëllimin që zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të garantojë ushtrimin e funksionit kushtetues të këtij fundit në mbrojtje të pavarësisë dhe të vetadministrimit të gjyqësorit”, - thuhet në vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, Gjykata thekson se është prekur, veç të tjerash, edhe parimi i shtetit të së drejtës, i shprehur me përparësinë e normave të Kushtetutës, në raport me normat e tjera ligjore. Për të gjitha këto arsye, Gjykata Kushtetuese ka vendosur shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të ligjit, “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”.