Përse nuk ulet nafta
SITUATË MONOPOLI
Me një kurajë për t’u përshëndetur, deputeti i PD-së, Leskaj ka denoncuar në shtyp disa ditë më parë praninë e një karteli prej shtatë kompanish të mëdha importuese të naftës, që diktojnë një çmim monopol të naftës tek ne. Jo vetëm e ka denoncuar, por me një analizë të hollësishme ka sjellë fakte dhe argumente për gjendjen monopol të tregtimit të naftës. Pak ditë më vonë, dhe pikërisht pardje, ministri ynë i Financave, po deputet iPD-së, deklaron në Parlament se qeveria nuk do të ndërhyjë në tregun e lirë. Vërtet, do të kishte shumë të drejtë, por nëse tregu do të ishte i lirë. Mirëpo tregu është i robëruar, është në duar të një grushti kompanish që diktojnë çmimin monopol.
Përse nuk ndërhyn qeveria? Si është e mundur që ari i zi, në pikiatë si çmim, që në fillim të krizës financiare botërore, qëndron lart tek ne? Shpërthimi i krizës financiare ka bërë që Kina dhe India, të goditura nga kjo flamë, kanë ulur ndjeshëm kërkesën e tyre për naftë. Po kështu janë sjellë edhe SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania e me radhë të gjitha vendet e industrializuara të globit. Analistët e tregjeve gjykojnë se do pak kohë që nafta të arrijë çmimin 37 dollarë fuçia, ose sa ka qenë katër vjet më parë. Kjo ulje spektakolare është ndjerë kudo. Në të gjitha vendet e botës çmimi i naftës ka nisur të pakësohet në përputhje me rënien e fortë të saj në tregjet ndërkombëtare. Në Itali nafta është ulur 38 për qind, në Francë po ashtu, në Gjermani 42 për qind. Edhe në vendet e tjera të Ballkanit nafta është ulur me mbi 35 për qind. Vetëm tek ne tregu i ka veshët e shurdhër dhe sytë qorr. Veprimtarët e tij (tregtarët me shumicë e pakicë të karburanteve) të nxjerrin me qindra qarje e justifikime për ditët e sotme, po t’i pyesësh. Akcizë e lartë, kosto transporti, ndërprerje energjie elektrike, etj. Por asnjë prej tyre nuk është në gjendje të përgjigjet se përse kur depozitat e naftës janë 2-3 javore, pas tre muajsh (shtator-nëntor) çmimi i naftës në tregun tonë nuk ulet me ritmin e sasisë së re të importuar.
Nga 1500 lekë të vjetra litri në kohën e çmimit rekord, nafta në Shqipëri është ulur vetëm me dyqind e njëzet lekë të vjetra deri më sot. Ose ndryshe, 15 % rënie. Po të gjykojmë ritmin e uljes së shteteve fqinje (të cilat, njësoj si dhe ne, e importojnë shumicën dërrmuese të naftës), i binte që çmimi i naftës të ulej dhe tek ne, nga 1500, në të paktën 900 lekë të vjetra për litër. Situata në treg është ndryshe: Një litër naftë shitet për 1,280 lekë për litër. Kjo dëshmon se çmimi i sotëm i naftës është rrjedhojë e një marrëveshjeje të fshehtë midis firmave oligopoliste që kontrollojnë tregun. Ato lehtësohen nga një kontroll sipërfaqësor i organizmave tanë fiskalë, si dhe shumë fije të qeverisjes të lidhura me interesat e bosëve të shumicës në tregtinë e karburantit. Rezultati është një abuzim e vjedhje masive, ndaj mbi 400 mijë pronarëve të automjeteve në Shqipëri. Me një shifër të frikshme parash.
Kështu, nëse abuzimi llogaritet katërqind lekë të vjetra për litër në ditë dhe marrim një mesatare prej pesë litrash në ditë që konsumojnë dhe blejnë(ose dy milionë litra në nivel vendi), atëherë vjedhja është tetëqind milionë lekë të vjetra në ditë. Ose rreth 640 mijë euro në ditë. Që bëjnë 19 milionë euro në muaj! Kjo përbën humbje të pastër të parave të qytetarëve të këtij vendi, ose vjedhje në dritë të diellit. Gjendja kartel, monopol, të zhbëhet. Po si? Amerika e zgjidhi, për shembull, gjendjen monopol të kompanisë Microsoft në programet kompjuterike me një vendim gjyqësor.