E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza është te porta

Dita-ditës po konstatohet se ne e kemi marrë disi lehtë krizën që ka përfshirë tashmë çdo rajon të botës. E ndërkryer në përpjekjet për t’u shpëtuar akuzave të drejtësisë dhe të opozitës për korrupsion, shumica nuk e ka shqiptuar ende asnjëherë fjalën krizë. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli dhe ai i Financave, Ridvan Bode, në disa raste, kanë shpalosur qetësinë e rreme të administratës shqiptare përballë shfaqjeve të para të krizës. Ata dhe zyrtarë të tjerë të lartë, kanë prekur paksa vetëm rrezikun e reduktimit të kredive(!) Në përgjithësi, mund të thuhet pa ngurrim se administrata shqiptare është nga të paktat - në Ballkan dhe më gjerë - që po fle mbi dafina; për të mos thënë që vazhdon të mburret e të legjendizojë arritjet e veta modeste. Por sot, më shumë se kurrë, do të duhej të ndihej shterimi i mburrjeve. Mediat perëndimore kanë kohë që u bien kambanave dhe vazhdojnë të shkruajnë për impaktet e pashmangshme që kriza globale do të përcjellë dhe po përcjell edhe në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Për shkak të lëkundjeve në disa nga bankat e mëdha amerikane dhe evropiane, dallgët e krizës, veçmas reduktimi i ndjeshëm i kreditimit, do të ndjehen edhe në vendet e tjera, përfshirë doemos Shqipërinë. Mekanizmi i rëndë i rritjes së çmimeve e të kostove, do të fillojë të bluajë pasiguri për të gjithë. Kësaj nuk mund t’i shmangen ekonomi të konsoliduara, jo më ekonomia e brishtë shqiptare, që ka qenë dhe mbetet robinë e importeve, e privatizimeve dhe e dërgesave të emigrantëve.

Mirëpo, ndërkaq, në rajonin tonë janë të dukshme lëvizjet e aktorëve me përgjegjësi në politikë dhe në ekonomitë e vendeve të ndryshme. Qeveria italiane ka shpallur më 28 nëntor paketën antikrizë, ku përfshihen një sërë masash për përballimin e problemeve ekonomike e financiare, me të cilat përballet rajoni ynë dhe e gjithë bota. Masat e parashikuara synojnë të lehtësojnë nga disa taksa bizneset, sikundër edhe të vigjilojnë mbi informalitetin. Një synim tjetër, është mbështetja e qytetarëve, sidomos e shtresave më të pambrojtura, edhe përmes subvencioneve. Po ashtu, një fond i veçantë, është tashmë gati për të lehtësuar situatën për kontigjentet që rrezikojnë papunësinë. Për t’u kthyer në Ballkan, disa nga fqinjët tanë, gjithashtu kanë shpallur prej kohësh paketa antikrizë. Në Bullgari parashikohet të ketë ndërhyrje, sidomos në sektorët që pritet të preken më shumë nga kriza, si ndërtimi dhe shërbimet. Në Maqedoni, qeveria ka përcaktuar masa konkrete për të përballuar krizën, duke ndërhyrë për uljen e disa taksave dhe duke synuar reduktimin e kostove në prodhim. (Deri në tetor, prodhimi industrial vendas kishte shënuar këtu një rritje prej 9.9 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.)

Vetëm në Shqipëri, ende nuk ndihet ndonjë kambanë alarmi, ndërkohë që kriza është tek porta. Pakësimi i kredive, rritja e çmimeve të produkteve të importit, deformimi i kostove në prodhim e në çdo sektor tjetër, ulja e dërgesave të emigrantëve, janë vetëm disa nga prurjet e para të krizës që po troket. Më tej, duke i besuar në radhë të parë tregtisë, (që përbën ende më shumë se 58 për qind të ekonomisë), Shqipëria renditet ndër ato vende që presin ritme më të ulëta rritjeje në të ardhmen. Kjo është paralajmëruar edhe nga FMN-ja dhe Banka Botërore. Është e vërtetë që volumi i shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë me botën, vazhdoi të rritet dhe gjatë periudhës janar-shtator 2008; shkëmbimet tregtare arritën një vlerë prej rreth 3.3 miliardë euro. (Raporti i Bankës së Shqipërisë “Mbi tregtinë e jashtme”). Por sërish, ndër faktorët që kanë ndikuar në rritjen e vlerës së importeve, konsiderohet rritja e çmimeve në tregjet rajonale. Kështu, vetëm shpenzimet për import karburantesh - gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2008 - ishin rreth 210 milionë euro, nga 140 milionë euro në vitin 2007. Në po këto të dhëna, deficiti i tregtisë së mallrave shënoi vlerën 1.8 miliardë euro. Përballë rritjes së vazhdueshme të importeve, prodhimi vendas vazhdon të mbetet në kuota të ulëta. Ngritja dhe përplasja përtokë e shumë bizneseve, në raport me mbështetjen politike apo edhe për shkak të performancave gjithfarë të konkurrencës pa fre, e pengojnë edhe më tej zhvillimin normal të sipërmarrjes. Djegia e disa subjekteve të njohura në autostradë, ka shqetësuar jo vetëm sipërmarrjen, por edhe partnerët tanë më të afërt. Siguria dhe formalizimi i bizneseve, vazhdojnë të mbeten ende anë të errëta të zhvillimeve tranzicionale.

Ndërkohë, disa nga privatizimet që cilësohen të suksesshme, po i kalojnë problemet e vjetra të ekonomisë shqiptare në sferat sociale. Vetëm nga ristrukturimi i “Armo”-s dhe i “Albpetrol”, SH.A. kemi 1.706 punonjës pa punë; dhe atyre shumë pak do t’u interesonte që suksesi i investimeve të huaja, të konvertohej thjesht në një asistencë kohëshkurtër. Por, trokitjet e krizës mund të ndihen shumë shpejt edhe në portat e qytetarëve të tjerë, që gjithashtu mund të dalin të papunë për shkak të falimentimit të bizneseve; jo pak prej tyre, e kanë shpallur tashmë këtë. Ulja e fuqisë blerëse, reduktimi i kredive, çuarja e tenderave tek subjektet “e zgjedhura”, do ta vështirësojnë edhe më tej mbijetesën e sipërmarrjes. Por përballë këtyre zhvillimeve dhe të tjerave që priten në të ardhmen, administrata shqiptare vetëm po hesht; kurrkund nuk shihet debat, pa le më masa apo ndërhyrje parandaluese. Ç’është më e keqja, këto pandehma a të vërteta, qeveria dhe ministrat e saj, nuk i zënë me gojë, nuk i thonë “me zë të lartë”, për shkak se mund të përkthehen si kosto elektorale. Kjo e bën edhe më të frikshme krizën që vjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›