Mjekësi: Do demontojmë armët serbe e greke
ELBASAN- Municionet e tepërta të ushtrive serbe, greke dhe kroate do të demontohen këtë vit në Shqipëri. Demilitarizimi i tyre është planifikuar të realizohet në uzinën e lëndëve plasëse në Mjekës të Elbasanit. Lajmi është bërë publik nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, e cila është agjencia zyrtare e lajmeve në vendin tonë. Në një prononcim të dhënë dje për të, drejtori i uzinës, Daniel Karanxha konfirmoi se "uzina e lëndëve plasëse në Mjekës do të jetë e vetmja në vend që do të demontojë të gjitha armët dhe municionet në Ballkan". Ai ka sqaruar se në funksion të këtij qëllimi "në vitin 2011, në këtë uzinë do të hapet një linjë e re demontimi, duke e çuar në katër numrin e tyre". Karanxha ka bërë gjithashtu të ditur se "kjo uzinë do të jetë në përbërje të NAMSA (Agjencia e Fuqizimit dhe Mirëmbajtjes së NATO-s). Rreth 21 mijë ton municione janë demontuar 10-vjeçarin e fundit në uzinën e lëndëve plasëse në Mjekës të Elbasanit. Në këtë uzinë janë demontuar 60 për qind ton municione më shumë sesa në uzinën e Poliçanit, në atë të Gramshit dhe të Çekinit", - është shprehur ai. Nga ana tjetër, ATSH ka sqaruar se vetëm dy muaj më parë, në uzinën e lëndëve plasëse është inauguruar linja e demontimit të minave kundërtanke me trup bakeliti, proces i cili do të përfundojë në vitin 2013. "Kjo linjë kryen një demontim industrial, që respekton kushtet maksimale të sigurisë dhe jep mundësinë që të mos ketë ndotje ambienti, ndërsa eksplozivi që kanë minat kundërtank të riciklohet dhe futet për përdorim civil", citojmë nga ATSH. Është hera e parë që municionet e tepërta të Serbisë, Greqisë dhe Kroacisë do të sillen për t'u demontuar në vendin tonë. Por nga ana e qeverisë shqiptare, deri më tani nuk është bërë publike as edhe një lloj marrëveshjeje e nënshkruar me vendet respektive për realizimin e këtij qëllimi. I kontaktuar po dje në telefon nga "Gazeta Shqiptare" dhe vetë drejtori i uzinës së lëndëve plasëse në Mjekës të Elbasanit, nuk ka preferuar të japë sqarime të mëtejshme. Në fakt, ai as nuk i ka mohuar dhe as i ka pohuar deklaratat e dhëna për ATSH-në, duke u shprehur vetëm se do të flasë më konkretisht për këtë çështje në ditët në vijim. Uzina e lëndëve plasëse në Mjekës u ndërtua në vitin 1963 nga kinezët si një uzinë ushtarake, e cila prodhonte lëndë plasëse për ushtrinë. Në këtë uzinë, deri tani funksionojnë tri linja industriale që kryejnë procesin e demilitarizimit të municioneve në siguri të plotë. Në ULP janë demontuar predhat 160 mm dhe 120 mm. Ndërsa në faqen zyrtare në internet të Ministrisë së Mbrojtjes, bëhet e ditur se aktualisht "ndërmarrja prodhon vetëm dinamit dhe municione për të përmbushur nevojat e minierave shqiptare, si edhe po eksporton në mënyrë të suksesshme në Kosovë".
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)