E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekësia Ligjore: Vajza u dogj me cigare 16 herë nga i dashuri pengmarrës

Gazeta Shqip

Torturat

Shenjat e dhunës çnjerëzore, në gjoks, kurriz, krahë dhe këmbë

Kolegët e vajzës, e cila punonte si kameriere, tregojnë marrëdhënien mes saj dhe dhunuesit

Vajza 18-vjeçare, e cila u rrëmbye nga i dashuri i saj dhe u mbajt peng në servisin e tij për arsye xhelozie, ka 16 shenja djegieje në trup me cigare, të cilat dyshohet se i janë shkaktuar nga 21-vjeçari gjatë torturave nga ana e tij, kur e mbante të lidhur me fasheta. Ky është konkluzioni i Mjekësisë Ligjore që ka bërë këqyrjen e trupit të vajzës së mbajtur peng, e cila ka përjetuar traumë dhe, sipas policisë, nuk ka pranuar të bëjë kallëzim, pasi kishte frikë të denonconte të dashurin e saj. Nga ana tjetër, kolegët e vajzës, e cila deri para tri ditësh punonte si kameriere në një restorant në Tiranë, tregojnë se çiftin e kishin parë disa herë bashkë, por asnjëherë duke u konfliktuar.

Frikë për kallëzimin

Sipas policisë së kryeqytetit, arrestimi i të riut ka ardhur pas një hetimi të kryer nga Komisariati Nr. 1, pasi ka marrë informacion për dhunimin e një vajze 18-vjeçare. Burimet nga policia bëjnë me dije se Anjeza Z. ishte paraqitur e dhunuar dhe menjëherë kishin nisur hetimet për dhunën ndaj saj. Para oficerit të policisë gjyqësore, ajo ka treguar me pak fjalë se çfarë i kishte ndodhur, por e traumatizuar, ajo nuk ka pranuar të kryejë denoncim ndaj të dashurit të saj, tashmë të arrestuar, Roland Peraj, 21 vjeç, banues në Laprakë. Madje, policia i ka ofruar edhe mbrojtje, por ajo mendohet se ndihej e frikësuar. Gjithashtu, për të bërë denoncim nuk ka pranuar as babai i vajzës, i cili e shoqëronte adoleshenten dhe ishte në dijeni të gjithë historisë. Në këto kushte, Komisariati Nr. 1 ka nisur hetimin kryesisht. Duke mbledhur prova të shumta ka bërë shoqërimin e Roland Perajt dhe bazuar në fakte, prokurori ka vendosur arrestimin e tij.

Raporti mjekoligjor

Pas arrestimit të tij, vajza e re është dërguar pranë Mjekësisë Ligjore për ekspertizë. Mjekët kanë deklaruar në raportin e tyre se ajo ka 20 shenja dhune në trup. Sipas të dhënave, 16 nga këto shenja janë shkaktuar me djegie cigaresh. Shenja të tilla mjekët kanë konstatuar në gjoksin e vajzës, në krahët e saj, në kurriz dhe në pjesë të ndryshme të këmbëve. Gjithashtu, asaj i janë gjetur edhe katër shenja të tjera dhune, në duar dhe në këmbë, që mendohet se janë shkaktuar nga fashetat, me të cilat e kishte lidhur i dashuri i saj pengmarrës. Policia tha se duke marrë shkas se heqja e paligjshme e lirisë së tjetrit, me pasoja të tilla, është vepër penale që dënohet nga 3 deri në shtatë vjet burg, prandaj u vendos që të dokumentohet, pavarësisht se vajza kishte frikë të denonconte. Ndër të tjera, policia tha se ka sekuestruar edhe prova të tjera implikuese të Roland Perajt në servisin e tij, që kishin mbetur pas mbajtjes peng të 18-vjeçares, pasi ai pretendonte se ajo do e linte dhe do të lidhej me një mashkull tjetër.

Kolegët tregojnë…

Ndërkaq, të njohurit e vajzës kanë mbetur të shtangur kur janë vënë në dijeni për ngjarjen që i kishte ndodhur. Të njohur të saj tregojnë se ajo ka punuar kameriere në një restorant prej disa kohësh, por ka tri ose katër ditë që nuk është kthyer në punë. Thjesht nuk e kisha parë në punë. Nuk kishte bërë ndonjë njoftim për mungesën e saj, ndërkohë që telefoni i dilte i fikur, kështu që nuk e dinim se çfarë i kishte ndodhur, tregon një kamerier. Ndërsa një koleg tjetër i saj shprehet që i kishte parë disa herë vajzën me të dashurin e saj. Ai ka ardhur disa herë në restorantin ku punojmë ne. Ata rrinin bashkë, por dukeshin të lumtur. Nuk mbaj mend ti kem parë ndonjëherë duke u zënë. Më vjen shumë keq për të, pasi ishte vajzë e mirë dhe në nevojë. Vetëm 18 vjeçe dhe punonte me qëllim për të mbajtur familjen, rrëfen një tjetër punonjës për vajzën e marrë peng dhe të torturuar në mënyra çnjerëzore nga i dashuri i saj. Pengmarrja e saj ndodhi të shtunën, kur ajo u mbajt kundër dëshirës për më shumë se dy orë nga i dashuri i saj, i cili disponon një servis makinash në Laprakë. Pasi ai e kishte torturuar, e ka lënë të lirë vajzën, e cila ka shkuar në banesë, ku i ka treguar gjithçka kishte ndodhur babait të saj, por të dy bashkë kishin frikë të tregonin rreth kësaj ngjarjeje në polici.

Pengmarrja

Rrëmbimi - Pengmarrja e saj ndodhi të shtunën, kur ajo u mbajt kundër dëshirës për më shumë se dy orë nga i dashuri i saj, i cili disponon një servis makinash në Laprakë

Dhunimi - 16 plagë janë shkaktuar me cigare. Shenja të tilla mjekët kanë konstatuar në gjoksin e vajzës, në krahët e saj, në kurriz dhe në pjesë të ndryshme të këmbëve

Kamerierja - Të njohur të saj thanë se ajo ka punuar kameriere në një restorant, ku disa herë ka takuar edhe të dashurin, por prej tri ose katër ditësh nuk ka shkuar në punë

Mjekësia Ligjore: Vajza u dogj me cigare 16 herë nga i dashuri pengmarrës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›