Mjekësia Ligjore: Vdekja e 2-vjeçares, dyshime për mjekët
TIRANË- Dispepsia dyshohet të ketë qenë sëmundja nga e cila vuante vogëlushja 2-vjeçare, e cila gjeti vdekjen në spitalin e Sarandës. Burime nga mjekësia-ligjore në Tiranë thanë dje për “Shekullin” se Kleorda Nuredini vuante prej kësaj sëmundjeje, ndërsa dyshohet se mjekët e spitalit të Sarandës mund të kenë gabuar në mjekimin e 2-vjeçares. Megjithatë, zyrtarisht shkaku i vdekjes së vogëlushes dhe përgjegjësia e mjekëve, pritet të dalë pas një jave nga mjekësia-ligjore e Tiranës.
Shkaku
Sëmundja e dispepsisë e cila prek aparatin tretës dhe të frymëmarrjes dhe shoqërohet me të vjella dyshohet të ketë shkaktuar vdekjen e 2-vjeçares Kleorda Nuredini. Vdekja e vogëlushes befasoi mjekët e spitalit të Sarandës, ndërsa tronditi prindërit e saj të cilët denoncuan menjëherë mjekët si përgjegjës. Dyshimet se mjekët kanë përdorur mjekim të gabuar bëri që policia të nisë hetimet, ndërsa autopsia e trupit të vajzës është kryer në mjekësinë-ligjore të Tiranës. Kjo e fundit shpjegoi dje për “Shekullin” se pas një jave do të japë përgjigjen përfundimtare për shkakun e vdekjes së vajzës dhe nëse mjekët kanë gabuar apo jo në mjekimin e saj. Megjithatë, burime nga mjekësia ligjore thanë se dyshohet se mjekët e spitalit të Sarandës nuk e kanë mjekuar siç duhet vogëlushen. “Fillimisht dyshohet se vajza vuante nga sëmundja e dispepsisë por ende nuk ka përfunduar ekspertiza për të dhënë një përgjigje zyrtare, gjë e cila do të deklarohet pas një jave. Presim analizat toksikologjike, mbledhjen e kartelave mjekësore dhe analizat e tjera laboratorike si dhe mjekimet që i janë bërë vajzës në spitalin e Sarandës. Është ende herët të thuhet nëse kanë gabuar apo jo mjekët e spitalit të Sarandës ku ndërroi jetë vajza”- tha për “Shekullin” drejtori i Mjekësisë-Ligjore të Tiranës, Besim Ymaj.
Ngjarja
Kleorda Nuredini ishte më e vogla ndër tre vajzat që kishte çifti Kelment e Mira Nuredini. Mësohet se familja Nuredini ndodhej me pushime në Sarandë, kur vogëlushja 2-vjeçare ka shfaqur të vjella dhe bark të pandërprerë. Menjëherë ajo u dërgua në spitalin e qytetit, ndërsa mjekët kanë marrë në dorëzim vogëlushen. Por pa kaluar ende një orë, 2-vjeçarja ka ndërruar jetë duke tronditur familjarët e saj, të cilët hodhën përgjegjësi mbi mjekët për vdekjen e vajzës. Ata kryen denoncim ndërsa policia urdhëroi menjëherë kryerjen e autopsisë si dhe kryerjen e të gjitha analizave të cilët do dërgohen në laboratorin e Tiranës. Mësohet se babai i vajzës akuzon mjeken dhe infermieren të cilat morën në dorëzim 2-vjeçaren. Sipas të atit të vogëlushes, mjekja dhe infermierja kanë kryer mjekim të vonuar, të pakujdesshëm e të gabuar. Por pavarësisht akuzave të babait të vajzës 2-vjeçare është fjala e mjekësisë ligjore e Tiranës e cila do të thuhet pas një javë që do të nxjerrë dhe shkakun dhe përgjegjësit e vdekjes së Kleorda Nuredinit.