E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Ti falen 14 vjet burg të penduarit të Rexhinës

Bashkëpunëtori i drejtësisë pritet të dënohet me 4 vjet burg, ndërsa kreu i bandës me 19 vjet

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkon togave të zeza t’i falin 14 vjet burg të pandehurit Erlind Taullaj, për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë. I arrestuari gjatë operacionit “Rexhina”, sipas organit të akuzës ka ndihmuar në zbardhjen e 9 vjedhjeve të makinave luksoze në kryeqytet, ndaj edhe duhet t’i shpëtojë burgut. Paraditen e djeshme, katër nga gjashtë të pandehurit e kësaj dosjeje kërkuan gjykim të shkurtuar, ndaj edhe togat e zeza vendosën të veçojnë çështjen për dy të pandehurit në mungesë, Bujar Sefa e Bledar Hasimja. Pas pranimit të kërkesës së pandehurve, gjykata i dha fjalën prokurorit të çështjes, Ardian Nezha, të vazhdojë me leximin e konkluzioneve përfundimtare. Sipas prokurorit Nezha, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por në momente të ndryshme kanë kryer vjedhjen me dhunë të 9 makinave luksoze, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. “Përfundimisht kërkoj nga gjykata që i pandehuri Edmond Neza të cilësohet si ideator dhe organizator i këtij grupi kriminal, pasi ka marrë pjesë në 7 vjedhje me dhunë dhe për kryerjen e këtyre vjedhjeje kërkojmë dënimin e tij me 19 vjet burg”,-ka thënë prokurori Nezha. Për të pandehurit e tjerë ai ka kërkuar dënime më të ulëta, ndërsa për të pandehurin që ka fituar statusin e të penduarit, Erlind Taullaj, prokurori i çështjes kërkoi dënimin e tijme 4 vjet burg. Të pandehurit e kësaj dosjeje janë arrestuar në operacionin e policisë së koduar me emrin “Rexhina”, emër ky i marrë nga makinat që ata vidhnin me dhunë. Sipas kërkesës për gjykim, të përpiluar nga prokurori Ardian Nezha, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer 9 vjedhje me dhunë, ku nën kërcënimin e armëve përveç vjedhjes së makinave, kanë marrë edhe sende materiale me vlerë. Nga hetimet e çështjes ka rezultuar se gjashtë të pandehurit, në vende dhe kohë të ndryshme kanë vjedhur me dhunë dhe nën kërcënimin e armës 6 makina të reja të tipit “Mercedes Benz”; “Rexhina” dhe “BMW X5” si dhe pasuri të ndryshme të dy shtetasve të tjerë gjatë periudhës tetor 2006 - mars 2007.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›