E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekësia Ligjore, në pritje të Rroshit, anulohet ekspertiza

Tiranë- Ngjarja tragjike e rrëmbimit dhe detyrimit për lindje të parakohshme të gruas së kryebashkiakut të Kavajës ka ende shumë pika të paqarta, të cilët hetuesit janë munduar t’i sqarojnë deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Edhe pse ngjarja është regjistruar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ekspertimi mjeko-ligjor për ekzaminimin e plagëve të marra gjatë rrëmbimit nuk është kryer gjatë ditës së djeshme. Pas marrjes së dëshmisë, që tregonte mekanizmin e rrëmbimit dhe detyrimin për lindje të parakohshme, 28-vjeçarja Griselda Rroshi është nisur drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore, për t’iu nënshtruar një ekspertimi të detajuar, që do të përcaktojë të gjitha dëmtimet që ka pësuar gruaja e re. Vendimi është marrë nga Prokuroria për Krime të Rënda, ndërsa 28-vjeçarja është shoqëruar nga një ambulancë drejt Tiranës, por që më pas, në rrethana ende të paqarta është rikthyer sërish në Kavajë. Në morgun e Tiranës, gjithçka duket se ishte bërë gati për ekspertizën e gruas së kryebashkiakut Rroshi, por ky akt është shtyrë për ditën e sotme, në rrethana ende të paqarta. Paraprakisht burimet thanë se gruaja ka pasur shenja dhune në fytyrë dhe pjesë të ndryshme të trupit, duke konfirmuar kështu versionin e saj se është rrëmbyer nga tre persona të armatosur, të cilët e kanë goditur me qytat e armëve. Mjekësia Ligjore pritet të përcaktojë dëmtimet e tjera që mund të ketë pësuar bashkëshortja e kryebashkiakut të Kavajës, përfshi edhe lindjen e detyruar të fëmijës që nuk gjendet. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, Mjekësia Ligjore por edhe institucionet e përfshira në hetimin e ngjarjes së rëndë, nuk dhanë asnjë deklaratë për gjendjen shëndetësore të 28-vjeçares, apo autorët dhe motivet e dyshuara të këtij krimi të padëgjuar ndonjëherë më parë në Shqipëri. Për hetimin e kësaj ngjarje janë angazhuar një grup prokurorësh të Prokurorisë për Krime të Rënda, si dhe ekspertët më të mirë të Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›