Zbulohet klinika: Taksisti rrëzon pengmarrjen, shoqërohet mjekja
Tiranë- Pas denoncimit horror të gruas së kryetarit të Bashkisë së Kavajës, hetimet e Policisë së Tiranës shkojnë drejt një piste tjetër, që rrëzon pretendimet e Griselda Rroshit. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është zbuluar klinika, ku dyshohet se është bërë lindja e foshnjes, fati i të cilit mbetet ende i mistershëm. Bëhet fjalë për një klinikë private, mbi maternitetin e ri të Tiranës, stafi i së cilës është shoqëruar mbrëmë në ambientet e Policisë së Tiranës, ku numri i të shoqëruarve ka arritur në 25 persona. Në orët e vona është shoqëruar dhe është marrë në pyetje mjekja gjinekologe, në lidhje me rrethanat e mbërritjes dhe trajtimit të Griselda Rroshit, mesnatën e së martës. Policia ka rënë në gjurmë të klinikës, vetëm pasi dje pasdreke ka mundur që nëpërmjet një pune operative të identifikojë taksistin që e ka çuar Griseldën në klinikë. Ende janë të paqarta rrethanat e kësaj trajektoreje drejt rrugës për në klinikë dhe njerëzit të cilët kanë shoqëruar Griseldën, por zyrtarë të policisë shprehen qartazi se është dëshmia e taksistit, ajo që ka rrëzuar pretendimet e 28-vjeçares. “Taksisti ka dëshmuar se është ai që e ka çuar Griselda Rroshin në klinikën private gjinekologjike, duke rrëzuar kështu pretendimet për rrëmbim nga tre persona të armatosur”, - pohojnë zyrtarë të Policisë së Tiranës. Për Policinë e Tiranës, mjekja gjinekologe dhe taksisti që ka çuar Griseldën në klinikën private janë dëshmitarët kyçë të kësaj historie, misteri i së cilës ka filluar të davaritet në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ajo çka flasin me bindje zyrtarët e policisë është hedhja poshtë e pretendimit se lindja ka qenë e detyruar, nën dhunën dhe presionin e tre personave të përshkruar nga bashkëshortja e kryebashkiakut. Fillimisht 28-vjeçarja u ka thënë hetuesve se ishte rrëmbyer dhe dhunuar, ndërkohë që hetuesit konfirmojnë shenjat e dhunës mbi trupin e saj, por verifikimet e mëtejshme kanë zbuluar se historia e saj në lidhje me këto shenja dhune është krejt ndryshe nga ajo që ka zbuluar hetimi operativ. Në të vërtetë, dyshimet e para kanë lindur nga episode kontradiktore nga dëshmia e 28-vjeçares, e cila fillimisht është shprehur se ishte në shoqërinë e kunatit dhe kunatës, përpara se të rrëmbehej, e më pas se ishte në shoqërinë e një shoqeje të saj me emrin Elona. Por hetimet e deritanishme përjashtojnë rrëmbimin si pistë. Këto rrethana kontradiktore mes rrëfimit të vajzës dhe rrugëtimit të vërtetë të saj, po kalojnë në “sitën” e autoriteteve hetimore, ndërsa hetuesit kanë punuar dje deri në orët e para të mëngjesit, me marrjen në pyetje të personave që janë dëshmitarë të ngjarjes, por edhe verifikimit të tabulateve telefonike për të bërë më mirë lidhjen në kohë mes Griselda Rroshit dhe personave të tjerë, me të cilët ajo mund të ketë qenë në kontakt mbrëmjen e së hënës. Pjesa më e errët e historisë është fati i foshnjes së sapolindur, i cili pritet të zbardhet nga dëshmia e gjinekologes së shoqëruar në mesnatë në mjediset e Policisë së Tiranës.