E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfimi i 28-vjeçares: Orët e tmerrit në “klinikë”, ku më zhdukën foshnjen

SHKRUAN: Habjon Hasani 02-06-2011 10:32

Kavajë- Një histori tronditëse, e ngjashme me një thriller, është e rrëfyer nga Griselda Rroshi për hetuesit e pengmarrjes. Bashkëshortja 28-vjeçare e kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë së Kavajës, nën një gjendje të rënduar emocionale, ka pohuar përpara prokurorit të Krimeve të Rënda, Henrik Ligori, kronologjinë e pengmarrjes, gjatë së cilës humbi foshnjen 9-muajshe në bark. Historia e treguar prej saj nis në orën 19:15 minuta të së hënës, kur Griselda Rroshi sapo ishte ndarë nga një mikesha e vet, e quajtur Elona. Bashkëshortja e kryebashkiakut të ri të Kavajës qëndronte prej pak ditësh në shtëpinë e prindërve të saj në Tiranë, pasi kishte planifikuar të shtrohej në maternitet të premten, për të lindur djalin e saj të parë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, Griselda është ndarë me mikeshën e vet, me të cilën kishte pirë një kafe në rrugën “Komuna e Parisit” dhe i ishte drejtuar një taksie, për t’u kthyer në shtëpinë e prindërve. “Tek këmbët e mia ndaloi një makinë e zezë, me xhama të zinj, nga e cila dolën dy persona të armatosur. Më goditën me një qytë pistolete në kokë dhe më hipën në makinë”, - ka nisur rrëfimin e saj për pengmarrjen 7-orëshe Griselda, mbiemri i vajzërisë të së cilës është Zaimi. Sipas dëshmisë së saj, pengmarrësit kanë qenë tre, së bashku me shoferin, por edhe pse të pamaskuar, ajo nuk ka mundur t’i identifikojë. “Vetëm njërin prej tyre mund ta njoh, nëse e shikoj edhe njëherë”, - ka thënë ajo për hetuesit. Griselda ka pohuar më pas se e kanë hipur në sediljen e pasme të makinës, duke e mbajtur dhunshëm në makinë. “Kemi ecur rreth 30 minuta larg vendit ku më rrëmbyen. Më kanë zbritur në një shtëpi, rrëzë një mali”, - ka shtuar ajo më tej për grupin hetimor. Rrëfimi i mëpasmë i 28-vjeçares e shton edhe më shumë dozën e horrorit të kësaj ngjarjeje. Ajo ka pohuar se e ka gjetur veten në një dhomë të përgatitur më parë e të përshtatur si sallë lindjeje. “Aty pashë njerëz, mes të cilëve edhe një grua. Më bënë një serum, duke më detyruar të lind fëmijën, vetëm disa momente më pas”, - ka shtuar ajo. Për shkak të hemorragjisë shumë të madhe, Griselda ka rrëfyer se i kanë ndërruar edhe rrobat dhe në orën 3:45 të mëngjesit, e kanë hipur sërish me fuoristradë. “Më hodhën përballë shkollës “Tre Dëshmorët” në Kavajë, vetëm 50 metra larg shtëpisë”, - ka përfunduar rrëfimin e saj Griselda Rroshi, e cila nuk e di nëse fëmija i saj është gjallë apo vdekur. Burime nga grupi hetimor pohojnë se dëshmia e 28-vjeçares ka zgjatur për orë të tëra, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike. Madje, Griselda ka dhënë edhe versione kontradiktore, sa i përket momentit të parë të rrëmbimit. “Ka pasur vështirësi në marrjen e dëshmisë, për shkak të gjendjes së saj. Një herë na tha se kishte qenë në kafe te Komuna e Parisit me një shoqen e saj, të quajtur Elona, e një herë tjetër se kishte qenë me kunetërit”, - thotë një burim i grupit hetimor. Gjithsesi, çdo episod i dëshmisë së saj është verifikuar nga hetuesit, të cilët gjatë ditës së djeshme janë vënë në kërkim të shtëpisë, ku Griselda Rroshi thotë se është detyruar të lindë fëmijën e saj, fati i së cilit ende nuk dihet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›