E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekësia e demokristianëve

 

Ka apo nuk ka ilaçe në QSUT? Zgjidhja e këtij fjalëkryqi, nxjerr fjalën “demokristian”.

Sepse atje nuk bëhet fjalë të bëhet betejë mes sëmundjes dhe shëndetit, por mes partisë demokristiane të Nard Ndokës dhe Partisë Demokristiane të Anton Gurakuqit.

Pak ditë më parë, në adresë së “Spiunit” erdhi një komunikatë shtypi e PDK-së që drejtohet nga kryetari i ri, Gurakuqi, i cili është zëvendësministër i Jashtëm i Shqipërisë. Autori i letrës ishte Mati Pepa, drejtor i QSUT-së, dhe aty akuzohej ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka se po shfrytëzonte dikasterin për të bërë partinë e tij, e cila nuk përfaqëson më interesat e PDK-së.

Dy ditë më parë Pepa tha se ilaçe në QSUT nuk ka, sepse Ministria e Shëndetësisë ka vonuar organizimin e tenderit për blerjen e medikamenteve dhe për këtë vonesë, që rrezikon jetën e pacientëve. Në ekrane dolën edhe pacientë të stresuar që presin të shërohen, por që përcillen nga mjekët, se nuk ka ilaçe. Ndoka thotë se ilaçe ka plot, sepse “në muajt prill-maj-qershor ka marrë kontakte me të gjitha spitalet në sistemin shëndetësor dhe nga verifikimet, rezulton se secili prej tyre ka furnizim të mjaftueshëm me medikamentet e blera fundvitin e kaluar, sipas planifikimeve të vetë spitaleve dhe mundësive që krijon buxheti i shtetit në dispozicion”. Sa për tenderin e ilaçeve, do të duhet kohë, ndoshta në vjeshtë. "Drejtoria e Prokurimeve i ka kryer të gjitha procedurat javë më parë dhe është në pritje të ecurisë së procesit nga APP. Këto procedura janë kryer në të njëjtën periudhë me vitet e mëparshme dhe përfundimi i tyre gjithashtu do të vijë brenda muajve të verës, sipas procedurave të përcaktuara në ligj. Ndërsa, deri në mbyllje të procesit kontraktues, çdo institucion ka patur dhe ka të drejtë ligjore të procedojë me shtesa konkrete për barnat më urgjente e më të përdorshme",- sqaroi dje Ministria e Shëndetësisë.

Në fund të deklaratës për ilaçet e popullit, edhe një sulm për PDK-në e Gurakuqit, sepse Ndoka i kujton kryeministrit Berisha se ndien keqardhje, pse nuk është shkarkuar ende Mati Pepa dhe lejojnë zyrtarë të tillë të shpërndajë deklarata e shkresa kundër qeverisë, politikave të saj shëndetësore dhe institucioneve eprore.

Deri kur Berisha të zgjidhë fjalëkryqin demokristian në shëndetësi mes partisë së Ndokës dhe të Gurakuqit, populli-pacient nëpër spitale, nuk do të ketë ilaçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›