Çelsi, 45 mln euro plus Deko për Aguero
Atletiko e Madridit do të vendoset përballë një prove shumë të vështirë, për të mbajtur yllin e skuadrës Serxho Aguero. Çelsi po përgatitet të bëjë një ofertë, e cila i afrohet së tepërmi klauzolës me vlerë 60 milionë euro, për prishjen e kontratës që argjentinasi ka në "Visente Kalderon". Blutë e Londrës synojnë të plotësojnë kërkesat e trajnerit Karlo Ançeloti, për afrimin e lojtarëve cilësorë, që përveç rezultateve do të siguronin edhe lojë spektakolare. Ata janë të gatshëm të paguajnë 45 milionë euro dhe t‘i japin spanjollëve kartonin e mesfushorit portugez, Deko, për të afruar Agueron në "Stemford Brixh". Lajmi është bërë i ditur nga gazeta "Daily Mail", e cila theksonte se përfshirja e ish-lojtarit të Barcelonës në marrëveshje do të shërbejë për të kompensuar diferencën e mbetur, me vlerë të përgjithshme 15 milionë euro. "El Kun" është vetëm njëri prej objektivave të mëdhenj që Çelsi ka në këtë merkato vere. Anglezët kanë qëndruar shumë pasivë në merkato, ku blerjet e vetme janë Ros Turnbull, Daniel Sturrixh dhe Juri Zhirkov, por së fundmi ata kanë përpiluar një listë me emra të mirënjohur në arenën ndërkombëtare: përveç Agueros, synohen edhe francezi i Bajernit të Mynihut, Frenk Riberi dhe mesfushori i Milanit, Andrea Pirlo (telenovela për italianin duket se ka përfunduar pas fjalëve të Berluskonit). Vetëm pak javë më parë, pasi vendosi të mos largohej nga Çelsi, kapiteni Xhon Terri kërkoi siguri nga pronari Roman Abramoviç, se ai do të investonte për krijimin e një skuadre fituese. Buxheti i vendosur në dispozicion të Ançelotit për blerjet e reja e kalon shifrën 120 milionë euro. Në garën për talentin argjentinas, Aguero, është edhe Mançester Junajtid, që kërkon një zëvendësues të denjë të Kristiano Ronaldos.