Mjekët: Nëse nuk na plotësoni kushtet QSUT do të falimentojë
Emanuela Sako
Mjekët vijuan protestën e dytë duke pezulluar për një orë të gjitha operacionet dhe vizitat. Revolta e mjekëve këtë herë është forcuar me përfshirjen e Këshillit të zgjeruar të Profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë, duke hartuar një paketë kërkesash, të cilat do të dërgohen në Qeveri dhe më pas për diskutim në Parlament. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë është lënë jashtë institucioneve, ku mjekët pretendojnë për ndihmë dhe reforma të menjëhershme të sistemit shëndetësor. Ata kanë kërkuar pavarësinë politike të sistemit të ri shëndetësor dhe më shumë financime dhe përkujdesje. Në të kundërt, gjithçka do të bjerë mbi pacientët, pakënaqësia e të cilëve do të arrijë kulmin me braktisjen e përkujdesjes së mjekëve. Reformimi në shëndetësi do të sjellë përmirësimin e kushteve në të gjitha qendrat spitalore të vendit, si dhe rritje të kushteve të shërbimit për mjekët dhe për pacientët.
Protesta
Mjekët kanë pezulluar punën rreth orës 9.00 deri në 10.00 të paradites së djeshme, në kërkim të plotësimit të standardeve në sistemin e shëndetësisë. Rreth 100 punonjës të shëndetësisë, mjekë dhe infermierë, para Urgjencës Kirurgjikale ka bërë që pacientët të presin pranë pavijoneve përkatëse në të cilat janë drejtuar deri në mbarim të protestës një orëshe. Ndërkohë që mjekët kanë lajmëruar që protesta do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre nga qeveria. Mjekët, përmes Këshillit të zgjeruar të Profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë, vlerësojnë se në Sistemin Shëndetësor, sidomos në atë spitalor, nuk është realizuar asnjë reformë e rëndësishme. Sipas tyre, mjekët ende punojnë me një ligj për shëndetin të vitit 1963 dhe ndryshimet e kryera në këto 17 vjet tranzicioni të lodhshëm nuk janë të qenësishme. Ata janë shprehur se përpjekjet në e bëra gjatë këtyre viteve, përpunimi i strategjive për zhvillimin e spitaleve janë lënë në harresë. Këshilli i zgjeruar i Profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë deklaroi javën e kaluar se do të hartojë së shpejti një strategji të re për reformat në sistemin shëndetësor, një dokument i cili do t’i dërgohet Qeverisë. Ndërsa një ndër kërkesat më të rëndësishme, që e vështirëson shumë punën e mjekëve, ka qenë se shteti duhet ti japë fund mungesave të medikamenteve dhe aparaturave në QSUT. Në këtë qendër spitalore është bërë e zakonshme që të mungojnë medikamente të shumta dhe aparaturat ose mund të mungojnë ose janë jashtë funksionimit. Kjo bën që mjekët të jenë të detyruar që të mos e bëjnë siç duhet punën e tyre. Madje, ata nuk e kanë përjashtuar edhe ekzistencën e korrupsionit në shëndetësi, por që e justifikojnë me faktin e pagave te ulta dhe kushteve te këqija në të cilat mjekët punojnë.
Arsyeja
Pas plagosjes së dy javëve më parë të mjekut, Ali Refatllari, mjekët duke marrë parasysh rrezikun dhe pakënaqësitë ndaj sistemit aktual të shëndetësisë vendosën të protestojnë për standarde të larta. Ndërkohë që, menjëherë pas protestës së parë, Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, akuzoi drejtpërdrejtë mjekët për krijim monopolesh. Sipas ministrit Ndoka mjekët po shfrytëzojnë situatën për përfitime personale. Për Ministrin, kjo është edhe arsyeja që ata kërkojnë të ndërhyjnë në vendimmarrje, pasi kërkojnë të kënaqin interesat personale. Kështu, ky është debati i parë që është hapur mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe bluzave të bardha. Ndoka akuzon direkt shefat e shërbimeve se e kanë kthyer spitalin në monopol të tyre. Megjithëse ankesat e qytetarëve nuk kanë të sosur, kjo është hera e parë që Ministria po i merr parasysh, duke sulmuar ashpër gjendjen dhe punën e mjekëve në spitale.
22 Prill 2008