Memorandum Bashkëpunimi mes Bashkisë dhe “Reiffeisen Bank”
Bashkia e Tiranës vazhdon qëllimin e saj për përmirësimin e kushteve dhe hapësirave me kënde lojërash në shkolla ambiente dhe çlodhëse për fëmijët dhe të moshuarit. Bashkia e Tiranës në kuadër të programeve sociale dhe edukuese, me qëllim sigurimin e ambienteve bashkëkohore për fëmijët dhe të rinjtë e qytetit zgjeron hapësirat e bashkëpunimit me “Raiffeisen Bank”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama firmosi, dje, Memorandumin e bashkëpunimit me Drejtorin Ekzekutiv të “Raiffeisen Bank” Oliver J.Whittle, për realizimin e projektit të përbashkët “Partneriteti publik - privat për zhvillimin e komunitetit”. Kjo nuk shtë hera e parë në një bashkëpunim të tillë mes bashkisë dhe Bankës Raffeisen. Sipas Kryebashkiakut, gjithçka bëhet në funksion të jetës në komunitet, në funksion të forcimit të marrëdhënieve të komunitetit, me shkollat, kopshtet, çerdhet, në funksion të një komuniteti i cili ka një jetë sociale të vetën, gjë për të cilën “Raiffeisen Bank” është posaçërisht e interesuar në politikat e saj në qytetin tonë. Projekti do të bëjë të mundur vendosjen e mjediseve sportive të brendshme, të pajisjeve të palestrave si dhe ambienteve rekreative në 5 shkolla të kryeqytetit, përkatësisht në shkollat e mesme “Sinan Tafaj”, “Myslym Keta”, “Emin Duraku”, “Osman Myderizi”, “Dëshmorët e Lirisë” në bazë të nevojave për secilën nga këto shkolla. Po ashtu projekti do të mundësojë edhe vendosjen e këndeve të lojërave në 4 kopshte, përkatësisht në kopshtet Nr. 45, Nr. 2, Nr. 29 dhe Nr. 58 në qytetin e Tiranës. Shkolla “Lasgush Poradeci” do të përfshihet në këtë projekt nëpërmjet rehabilitimit të terrenit sportiv.
Bashkia e Tiranës, do të përcjellë përmes këtij partneriteti dëshirën për edukim tek qytetarët më të rinj, duke mundësuar krijimin e ambienteve bashkëkohore për lexim dhe dy bibliotekave në shkollat “Siri Kodra” dhe “Arben Broci”. Projekti do të mbështesë dhe krijimin e një këndi sportiv brenda një blloku banimi, duke i shtuar kryeqytetit edhe një kënd tjetër për më të vegjlit, në kuadrin e nismës “Dua të luaj”.
Mbi 600 punonjës të rinj i shtohen skemës së sigurimeve shoqërore
Elbasan - Mbi 600 punonjës të rinj janë regjistruar në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore në degën e tatimeve nga ana e subjekteve privatë që ushtrojnë aktivitet në qytetin e Elbasanit. Shefi i degës së tatim-taksave, Skënder Daja, u shpreh se ky numër i lartë është arritur në bazë të kontrolleve që janë ushtruar në subjektet private. Ai ka kërkuar edhe ndihmën e Bashkisë së Elbasanit që të ushtrojë kontrolle tek biznesi i vogël, me qëllim që ky numër të vijë në rritje. “Bashkia nuk është efektive në bashkërendimin e punës me degën e tatimeve për evidentimin e subjekteve që ka në administrim, me qëllim regjistrimin e sa më shumë punonjësve në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore”,- theksoi Daja. Drejtoria rajonale ka bindjen e plotë se në tremujorin e dytë të këtij viti, numri i të regjistruarve në skemën e kontributeve shoqërore do të rritet dyfish.
22 Prill 2008