E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prapaskenat e rrëmbimit të 7 vjeçares Azize Mirlak



Një familje shqiptare e goditur nga fenomeni i rrëmbimit të fëmijëve, ka qenë një ndër rastet më tipike të trajtuara natën e së shtunës në “Njerëz të humbur”. Si të mos mjaftojë barra e rëndë e mërgimit në Turqi, Ali dhe Manuela Mirlak duhet të përballojnë edhe dhimbjen për humbjen e vajzës së tyre prej 5 vitesh. Pas publikimeve të herë pas hershme në shumë media turke, ata iu drejtuan emisionit të Aida Shtinos me shpresën se mund të zbulojnë diçka rreth fatit të vajzës së tyre Azizes.
Historia
Ka qenë një ditë më se e zakonshme në Stamboll ajo e 11 korrikut 2003 për familjen Mirak. Njëra prej vajzave të shtëpisë, Azizja 7 vjeçare doli si përditë të luante në një kënd lojrash të quajtur Javus Selim Park që ndodhej pak metra larg shtëpisë në lagjen Bajram Pasha. Në atë kohë ajo sapo kishte mbaruar klasën e parë fillore. E ëma e Azizes akoma kujton sytë e saj në momentin e fundit kur e kishte parë dhe sikur kishte paranderë se mund të ndodhte diçka. Rreth orës 11 paradite vajza del në park dhe që atëherë nuk është parë më kurrë. Prindërit pohojnë se babai i kishte dhënë si detyrë Azizes të shkonte dhe ti blinte një vegël ndërtimi tek një dyqan aty afër dhe pastaj të shkonte të luante. Aliu, i ati i Azizes kishte dalë pak më vonë për të kontrolluar të bijën por kishte vërejtur se dyqani ku e kishte nisur vajzën kishte qenë mbyllur. Me shpresën se ajo kishte shkuar të luante në park ai kishte ikur i qetë në punë. Por edhe Manuela, mamaja e Azizes kishte menduar se vajza kishte shkuar bashkë me të atin tek puna e këtij të fundit. Vetëm në orën 23 të darkës ishte marrë vesh çudia më e madhe: vajza ishte zhdukur...Duke qenë se ajo nuk kishte shkuar as tek të afërmit dhe as tek puna e babait të saj, prindërit e Azizes të alarmuar vihen në lëvizje dhe njoftojnë autoritetet lokale të policisë. Këta të fundit nisin kërkimet menjëherë në të gjitha lagjet përreth duke thërritur me megafon emrin e saj. Kjo ngjarje nuk kaloi pa u trumbetuar edhe në të gjithë mediat kryesore turke, qoftë në televizion apo gazeta. Ky ishte një rast i rrallë për atë lagje pasi kurrë më parë nuk kishte humbur një fëmijë. Nga statistikat zyrtare të policisë së Stambollit dilej në përfundimin se 99 % e rasteve të rrëmbimit të fëmijëve ishte arritur në zbardhjen e plotë dhe rikthimin e tyre në shtëpi. Publikime pafund por fatkeqësisht lajme asnjë... Askush nuk pohonte ta kishte parë Azizen të shoqërohej me dikë atë ditë dhe as të rrëmbehej nga dikush me forcë. Për ditë e ditë me radhë, Manuela, nëna e vajzës, shkonte dhe qante në parkun e lojërave ku kishte humbur Azizja. Ndërsa sot ajo ka humbur pothuajse çdo shpresë, megjithëse ende vazhdon të mbahet pas çdo filli informacioni sado i vogël që të jetë.
Publikimi në “Njerëz të humbur”
Stafi i emisionit udhëtoi në drejtim të Stambollit për të mësuar më nga afër dramën që po përjetonte kjo familje e varfër me origjinë shqiptare. Për pesë vite rresht ata nuk kanë mundur të gëzojnë një ditë të lumtur pasi në çdo moment mendja u shkon tek Azizja e vogël. Falë bashkëpunëtorëve të emisionit si z. Kadri Limani dhe të tjerë, “Njerëz të humbur” arritën të ngrenë pistat e para për zbardhjen e ngjarjes në fjalë. Duke takuar njerëz pafund dhe kryesisht komshinj të familjes Mirlak u arrit që të merren dëshmi të cilat nuk ishin publikuar më parë megjithëse policia kishte shoqëruar shumë persona në komisariat në atë kohë. Në rrugë konfidenciale u arrit të merrej vesh se pak kohë përpara se të humbte gjurmët, Azizja qarkullonte në lagje me shumë para në xhep të cilat nuk i kishte marrë as nga familja dhe as nga komshinjtë. Në konfidencë u mor vesh se në atë kohë në lagjen Bajram Pasha qarkullonte një person i cili njihej si mashtrues dhe keqbërës. Njerëz të ndryshëm guxonin të përmendnin faktin se ai ishte marrë dhe me rrëmbim fëmijësh në vende te ndryshme të Turqisë duke u maskuar si lypës. Fill mbas zhdukjes së Azizes së vogël, ky person kishte ndryshuar banesë duke ikur qindra kilometra larg. Këto informacione sollën një reaksion zinxhir për publikun gjatë kohës që publikohej rasti duke qenë se teleshikues të tjerë nga Turqia thanë lajme shtesë për sa i përket historisë. Mbase rasti nuk ishte aq i thjeshtë sa pritej por shumë më i komplikuar dhe me përfshirjen e disa personave të tjerë të cilët e kishin rrëmbyer vajzën për qëllime përfitimi. Brenda orëve të emisionit u arrit që të ngrihen disa pika të reja orientimi për vendndodhjen e mundshme të Azize Mirlak e cila sot duhet të jetë 12 vjeçe.
Në javët në vazhdim pritet të dalin në skenë fakte dhe dëshmi të reja të cilat pak e nga pak po i përcjellin organeve kompetente të policisë turke për zbardhur skenarin e trishtueshëm të rrëmbimit të një fëmije nga persona të cilët tashmë duket se janë shumë afër identifikimit.

22 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›