E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr fund ankthi, Aida Shtino gjen Arben Çelën në Kanada



18 vjet ankth, shpresë dhe lot marrin fund për nënën e babain e Arben Çelës nga Ballshi. Aida Shtino në programin e saj “Njerëz të Humbur” në Vizion Plus gjen Arben Çelën në Toronto të Kanadasë. 35 vjeçari kishte humbur kontaktet me familjen e tij në 31 dhjetor të vitit 2003, por kishte që prej vitit 1991 që familja e tij nuk e kishte parë me sy atë. Mbrëmjen e së shtunës Aida Shtino realizon kontaktin me vëllain e tij ku ky i fundit rrëfen emocionet e telefonatës pas 5 vitesh mungese të Arbenit. Por si nisi rrugëtimin fati i Arbën Çelës dhe si mbërriti kjo histori në redaksinë e “Njerëz të Humbur”. Arbeni largohet nga shtëpia në datën 10 Prill të vitit 1991 në drejtim të Greqisë. Nga ky shtet ai niset me një anije suedeze drejt Anglisë udhëtim i cili zgjati për disa ditë. Pasi mbërrin shëndoshë e mirë në Londër ai nuk kontakton më me familjen e tij përreth 1 vit, por më vonë ai i dërgon asaj një letër. Në Londër Arbeni njihej me mbiemrin Ahmeti. I pakënaqur me jetën që bënte në shtetin anglez, ai vendos të largohet në drejtim të Torontos, në Kanada. Gjatë kësaj kohe ai njihet me një zonjë kanadeze e cila nga ana e saj i premton atij se nëse martohej me të ajo do t`i siguronte atij mundësinë për t`u pajisur me dokumente të rregullta. Por ky nuk do të ishte veçse një premtim dhe asgjë më shumë pasi zonja largohet dhe Arbeni nuk i merr dokumentet. Kontaktet me familjen e tij në Fier vazhdonin, por në dhjetor të vitit 2003 ato ndërpriten. Familjarët e tij duke mos pasur asnjë shpresë trokasin në “Njerëz të Humbur” në Vizion Plus për të gjetur një përgjigje për këtë zhdukje të papritur të djalit. Stafi i gazetarëve dispononte edhe adresën ku kishte jetuar Arbeni, por në sajë të verifikimeve ai nuk rezultonte të jetonte më aty. Kërkimet filluan të bëheshin edhe më të vështira, pasi në telefonatën e fundit Arbeni i kishte thënë vëllait të tij se nuk ishte mirë nga ana shëndetësore dhe se kishte dhimbje të shpeshta koke. Duke qenë se ky keqësim i shëndetit lidhej detyrimisht me spitalet, “Njerëz të Humbur” filloi të kontrollonte të gjitha spitalet nëse në regjistrat e tyre kishte ekzistuar ndonjë person me të tillë identitet. Ndihmesë të jashtëzakonshme kanë dhënë dhe mediat shqiptare në Kanada të cilat kanë pasqyruar te dhënat dhe foton e djalit si dhe Kryqi i Kuq Kanadez. Rrethi i kërkimeve filloi të ngushtohej së tepërmi duke iu afruar gjithmonë e më shumë gjetjes së Arbenit. E nuk kishte sesi kjo histori të lihej përgjysmë pasi në sajë të kërkimeve intensive u arrit që djali 35-vjeçar të komunikonte me nënën dhe babain e tij. Në ditët e fundit të pleqërisë ata kanë marrin lajmin më të gëzuar për djalin e tyre, një gëzim i njëjtë me atë ditë kur Arbeni ka ardhur në jetë dhe që do të vazhdojë të mbretërojë pas 5 vitesh heshtjeje të tij.

SHËNIM

“Për çdo informacion rreth këtyre personave vizitoni faqen www.njereztehumbur.com shkruani në adresën aidashtino@vizionplus.tv ose na kontaktoni në Tel. +355 4 258 488 Fax. +355 4 258 490 pranë redaksisë së emisionit në Vizion Plus. Rr. Don Bosko Nr. 5 Tiranë - Albania”

22 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›