E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët apelojnë për dhurim gjaku për fëmijët në nevojë

Mjekët e Spitalit Pediatrik të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë apelojnë për sensibilizimin e opinionit publik për dhurimin e gjakut për të gjithë fëmijët në nevojë, qoftë ata që marrin mjekimin pranë shërbimit Onko-Hemotologjik, qoftë dhe për fëmijët talasemikë. "Nevojat për gjak janë për të gjithë ata fëmijë, që duhet ta marrin atë dhe produktet e tij, por ka dhe raste të rralla, sikurse rasti i fëmijës me grup gjaku B-, apo dhe i një tjetër fëmijë, që ndodhet i shtruar në këtë shërbim, me grup gjaku AB-, grupe të cilët konsiderohen relativisht të rrallë", tha sot shefi i Shërbimit Onko-Hematologjik në Spitalin Pediatrik të QSUT-së, Prof. As. Qendro Kore. Prof. As. Kore u ndal te rasti i fëmijës Ardit Balaj, 3 vjeç e gjysmë, specifikë e të cilit është grupi i veçantë i gjakut, që është B-. "Ky fëmijë, veç gjakut të plotë, ka nevojë për masë trombocitare, që është produkt i gjakut", tha ai, duke sqaruar se "kjo masë trombocitare nuk është e mjaftueshme nga një dhurues, mund të duhen 2-3 të tillë, që të bëjë efekt". Sipas tij, "kjo do të thotë që fëmija duhet të marrë dy-tre qese gjak nga 2-3 dhurues të ndryshëm, gjë që është e vështirë në kushte normale".  Arditi është i sëmurë me aplazi, pra ka dëmtim të palcës kurrizore, ka defekt në prodhimin e rruazave të kuqe, (eritrocite), trombociteve, si dhe rruazave të bardha të gjakut (leokociteve). Dhurimi i gjakut, pas sensibilizimit nga persona të ndryshëm pranë shërbimit të Onko-Hematologjisë ka ndikuar në plotësimin e nevojave për gjak për të siguruar këtë masë trombocitare. Sipas mjekes pediatre, Donjeta Bali, "shkaqet në këtë rast sëmundjeje nuk dihen dhe në përgjithësi fëmijët që trajtohen pranë këtij shërbimi kanë patologji të tilla, që nuk u dihen shkaqet, një ndër to është dhe predispozitë gjenetike". Prof. As. Kore sqaroi se "duke qenë një rast i rëndë dhe i ndërlikuar, që favorizohet nga infeksione të ndryshme, pasi ulja e rruzave të bardha favorizon infeksionet e ndryshme, e kemi propozuar për kurim jashtë shtetit dhe jemi në pritje për ta dërguar".
Ndërkohë, në pritje të dërgimit në Itali, mjekët e këtij shërbimi po mundohen të bëjnë mjekimin e duhur brenda mundësive. Përsa i përket nevojave për gjak për fëmijët që trajtohen në shërbimin Onko-Hematologjik të Spitalit Pediatrik, Prof. As. Kore tha se, këtë nuk mund ta përcaktosh në një kohë të caktuar, pasi ndryshon sipas sëmundjes dhe gjendjes që vijnë pacientët. "Ka periudha që ne mund të harxhojmë tre qese gjak në ditë për tre fëmijë të ndryshëm, por ka dhe periudha që nuk kemi fare nevojë për gjak", tha ai. "Parimi i përgjithshëm që mund të zbatojmë është të marrë gjak ai që ka nevojë dhe të marrë atë që ka nevojë nga gjaku, pasi gjaku sot, edhe në vendin tonë, fraksionohet në pjesët e tij , d.m.th rruazat e kuqe, trombocitet, plazma, faktorët e mpiksjes së gjakut, etj, ndahet më vete dhe ne mundohemi të përdorim sa më pak gjak të plotë", thotë shefi i Shërbimit të Onko-Hematologjisë. Ai shtoi se "ne përpiqemi t'i japim atë që i mungon të sëmurit dhe Qendra e Dhurimit të Gjakut arrin ta bëjë këtë, por nevojat për gjak janë të tilla që ndonjëherë nuk mund të plotësohen". Sipas tij, në popullsinë tonë ka më shumë njerëz me grup gjaku A+, ndërsa rreth 10-15 % e grupeve janë me rezus negativ, që është dhe një arsye pse grupet e gjakut AB- dhe B- janë të rralla. Ndërsa, fëmijët talasemikë, të cilët janë të lindur me këtë patologji, janë ata që marrin rregullisht gjak çdo tre javë. Aktualisht, në Spitalin Pdiatrik të QSUT-së kryhen rreth 10-15 transfuzione gjaku në ditë për këta fëmijë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›