E Diel, 1 Nëntor 2026

Mundja e kundërshtarëve

Fillimin e ndërtimit të autostradës Durrës - Kukës - Morinë, nuk e vonoi as projekti i vështirë e as financat e mëdha, por kundërshtarët e egër

Pak pa përfunduar viti 2008, kryeministri i Shqipërisë, Berisha kreu vajtjen tjetër në autostradën Durrës - Kukës - Morinë, e katërta qysh nga fillimi i ndërtimit të saj. Nëse udhëtimi i parë për atje, për të bërë shpërthimin simbolik të minave, te gryka e tunelit të ardhshëm, qe i vështirë, shkuarja e katërt mbarti tjetër mendim. Që prej Milotit, ku autostrada ndahet nga aksi Durrës - Shkodër duke marrë djathtas për në veri, e gjithë rruga është hapur, deri në Morinë, në kufi me Kosovën. Ajo ndërpritet vetëm nga ato ura që ende nuk janë  papërfunduar.
Kryeministri zgjodhi t’i vështronte punimet edhe nga ajri, duke fluturuar me helikopter, përgjatë trupit të rrugës. Edhe shikuesi më mosbesues, me sytë e tij shihte nga ekrani që, korridori ndërshqiptar ka pushuar së qëni më një ëndërrim; nuk është më ide për veprim; nuk përbën me një projekt në pritje të mundësive; nuk është më i pengueshëm nga kundërshtarët. Tri të dhëna bazë për të, tashmë janë të njohura për shqiptarët: atje punojnë 3500 punëtorë, një punësim domethënës; përgjatë saj lëvizin 1300 makneri moderne, domethënë një fuqi teknike e sigurtë; dhe lajmi më i fundit, që, në pranverë rruga do të jetë gati për qarkullimin e automjeteve.
Ndër shumë pyetje që iu bënë Berishës atje, në atë udhëtim mbresëlënës, njëra u tha kështu: Pse kryeministri shkon shumë shpesh për të parë punimet e rrugës Durrës - Kukës - Morinë? Ai që pyeti asisoj, nuk bëri një pyetje koti, sepse ajo linte shijen e nëntekstit keqëdashës, pasi nuk besohet që, pyetësi nuk kishte njohuritë e duhura mbi udhëtimet e kryemistrit në ato vise, përderisa i cilësoi shumë të dendura; ose, me atë pyetje, synohej të përcillej te shikuesit mendimi që, kryeministri i ka harruar rrugët jugore përpara  autostradës veriore. Përgjigja e Berishës ishte shtangëse. Ai nuk tha se kishte shkuar, shpesh apo rrallë, por theksoi që, atje duhet të kishte shkuar çdo javë.
Kundërshtarët e rrugës shërbejnë pikëpamje të llojllojshme. Duke qenë se, fillimin  e ndërtimit të saj, qeveria e pati nxjerrë jashtë domethënies patriotike, paraqiti argumenta të përfitimit ekonomik të Shqipërisë dhe zhvillimit të një zone të humbur të saj, kundërshtarët u vunë përballë po asisoj, duke sjellë llogari të kundërta, se ajo nuk është një rrugë me aq përfitime ekonomike sa i numërohen.
Por rruga nisi.
Në përballimin e shtrenjtësisë së ndërtimit, qeveria i gjeti zgjidhjet për të garantuar përfundimin, ndërsa kundërshtarët e sulmuan rrugën me të gjitha forcat, duke i përbaltur financat me korrupsion. Aq është këmbëngulur në këtë akuzë sa, do të dëshirohej që, njerëzit të mos çanin kryet për rrugën madhështore, por të bindeshin se atje është një autostradë e vjedhur. Pas lajmit që, në pranverë rruga do të jetë gati, sepse kompania Bechtel&Enka po punon në mënyrë të shkëlqyer, kundërshtarët kanë filluar pëshpërimën se, qeveria e ka kot, ajo nuk ka për të marrë vota nga rruga. Kjo autostradë e vështirë, e filluar në nisje të mandatit qeverisës, nuk ishte e mundur të përfundonte me shpejt se sa para zgjedhjeve të pritshme. Ajo nuk është një rrugë votimesh, por udha historike e shqiptarëve, që,duke i dhënë qeverisë përparësi të padiskutueshme, nuk përbën politikë enkas për zgjedhjet, por mbështetje politike të merituar.
Po të ndërtonim një krahasim, mund të thuhet edhe kështu: nëse autostrada Durrës - Kukës - Morinë është solisti i madh, rrugët e tjera të shumta në ndërtim, nëpër gjithë Shqipërinë, përbëjnë korin. Kryeministri ka shkuar në nisjen e tyre ose në përurimin e përfundimit. Gjithkush e di këtë, përveç kundërshtarëve, që mëtojnë hapur ta ngarkojnë ndërtimin e aortës së kombit, me pikëpmje të mbrapshta, gjoja të prishjes së baraspeshës investuese mes krahinave të vendit dhe qëllimit të sforcuar, të lidhjes së Shqipërisë me Kosovën, me një rrugë për zgjerimin e  tregut e që nuk do të ketë treg.
Por, rruga shkon drejt prerjes së shiritit.
Askush nuk duhet të habitet pse kjo autostradë u fillua të ndërtohej kaq vonë. Atë nuk e vonoi projekti i vështirë, as financat e mëdha, e penguan kundërshtarët e egër. Mirëpo, rruga i mundi kundërshtarët. Sidoqoftë, ata nuk do të jenë të humbur, sepse do të udhëtojnë me kënaqësi në timonin e makinave të tyre dhe do të kenë përfitime vetjake të tërthorta nga zhvillimi që ajo do të sjellë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›