E Diel, 1 Nëntor 2026

Qendra Kinematografike Mbyllen aplikimet, 59 projekte në garë

Për vitin 2010, në këtë institucion janë dorëzuar 17 projekte për filma artistikë me metrazh të shkurtër, 13 për filma dokumentarë, 7 për filma të animuar dhe 15 për festivalet e filmave, botime, workshop-e etj., si dhe 7 projekte për filma artistikë me metrazh të gjatë-vepër e parë. Sipas ligjit, projektet duhet të ishin miratuar që më 15 mars, por debatet për zgjedhjen e bordit i shtynë në kohë

Data 15 maj ka shënuar afatin e fundit të aplikimit të projekteve kinematografike për vitin 2010. Pranë Qendrës Kombëtare Kinematografike janë depozituar 59 projekte për të gjitha kategoritë e konkurrimit. Përjashtim nga ky afat dhe nga ky numër aplikimesh bëjnë projektet për filmat artistikë me metrazh të gjatë, të cilët do të vazhdojnë të pranohen deri në datën 15 shtator 2010. Në këto ditë të para, dosjet vetëm sa kanë nisur të hapen për procedura dokumentacioni, çka do të thotë se nuk mund të flitet për tema të zgjedhura, personazhe, për prani apo mungesë idesh origjinale, por dihet që dominojnë të rinjtë. Kjo ndoshta për faktin se në situatën e sotme artistike fondet shtetërore mbeten shpresa e vetme për të hedhur një hap, apo edhe për faktin që filmi artistik, aty ku më së shumti përballen artistët e karrierës, shqyrtohet në një fazë të mëvonshme. Sipas të dhënave që jep drejtori i QKK-së, Artan Minarolli, në këtë institucion janë dorëzuar 17 projekte për filma artistikë me metrazh të shkurtër, 13 për filma dokumentarë, 7 për filma të animuar dhe 15 për festivalet e filmave, botime, workshop-e etj., si dhe 7 projekte për filma artistikë me metrazh të gjatë (vepër e parë). Kjo e fundit është një kategori e re që u përcaktua në mbledhjen e parë të bordit të këtij viti, e cila parashikon që t’u japë mundësi regjisorëve të rinj të provojnë për realizimin e të parit film artistik me metrazh të gjatë. “U mor ky vendim për t’u hapur një hapësirë forcave të reja dhe ka pasur mjaft aplikime”, shprehet Minarolli. Ndryshe nga vitet e shkuara, sivjet nuk do të ketë fond për zhvillim të filmit. Aktualisht po bëhet përpunimi i dosjeve, të cilat do të kalojnë në dy komisione para se t’u paraqiten bordeve përkatëse për shqyrtim. Komisioni i parë është ai i pranimit, i cili konstaton nëse ka mungesë në informacionin e kërkuar për aplikim, e më tej projektet kalojnë në komisionin e selektimit paraprak (në përbërje të të cilit janë drejtori i QKK-së, zv/drejtori Arben Lami dhe juristja e institucionit), të cilët marrin në shqyrtim dosjet për të dhënat teknike. Ky komision ka të drejtën që projekte të caktuara të mos i kalojë te bordi në rastet kur verifikohet që një shtëpi filmike konkurron sërish pa shlyer detyrimet e mëparshme me QKK-në, apo kur ndonjë producent ka prishje të kontratës me këtë institucion në raste të mëparshme. Ndërkohë janë vendosur edhe datat për mbledhjen e bordeve, të cilët do të diskutojnë projektet që kalojnë në komisione. I pari do të mblidhet bordi i animacionit (Albri Brahusha, Valter File, Jani Duri, Leonard Dori dhe Agron Mesi) në datën 31 maj, ndërkohë që më 7 qershor Këshilli i Miratimit te Projekteve për Filmin Artistik (me kryetar Teodor Laçon dhe anëtarë Esat Mysliun, Bujar Lakon, Agron Tufën dhe Durim Nezirin) do të marrë në shqyrtim projektet për filmin e shkurtër dhe dokumentar. Po ky bord do të mblidhet më 14 qershor në një diskutim mbi aplikimet për projekte të ndryshme si festivale filmi, botime dhe workshop-e. Mbledhjet e bordit do të përfundojnë rreth datës 28 qershor, ku do të zgjidhen projektet për filmat artistikë me metrazh të gjatë-vepër e parë. Drejtori i QKK-së, Minarolli, shprehet se aplikimet e kalojnë numrin e pritur, duke e konsideruar si një shenjë besimi ndaj këtij institucioni, ndërkohë që thekson se fondet për këtë vit janë të kushtëzuara. Deri diku është bërë një përcaktim i numrit të projekteve që duhet të fitojnë për çdo gjini, numër që ndryshon në varësi të financimit që i jepet njërit apo tjetrit projekt. “Parashikohen 3 ose 4 filma të shkurtër, 3 dokumentarë, 2 filma të gjatë-vepër e parë, 3 filma të animuar, 2-3 festivale filmi që kanë krijuar tashmë traditë”, shprehet Minarolli. Dy bordet e zgjedhur për vitin 2010 nuk kanë marrë ende asnjë vendim, por përvoja e deri më tanishme ka ofruar shpesh përplasje mes anëtarëve dhe në raste të tjera, kur në diskutim është vënë cilësia artistike, faturim të fajit për zgjedhje të projekteve të gabuara.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›