Mjekët denoncojnë 30 pacientë për dhunë
Reagon "Urdhëri i Mjekut": Ndërrimi i drejtuesve po mban peng reformat në shëndetësi. Mjekët kanë pranuar se midis tyre ka edhe që thyejnë etikën mjekësore dhe kërkojnë lekë për çdo shërbim.
TIRANE- Ndodh edhe kështu. Që bluzat e bardha të jenë pre e dhunës së pacientëve të tyre. Të sëmurët apo të afërmit e tyre, i kërcënojnë në forma të ndryshme mjekët, për mungesat që ka në spital apo pse gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohet. Vetëm për këtë vit, tek "Urdhëri i Mjekut" janë depozituar 30 ankesa të bluzave të bardha, për dhunë të ushtruar mbi ta nga ana e pacientëve. Ata ndihen të pambrojtur edhe për vetë klimën e mosbesimit që është krijuar karshi tyre, ku nuk kanë munguar as sulmet e drejtëpërdrejta mbi ta.
Ankesat e mjekëve
Sipas tyre situata me pacientët në spital shpeshherë arrin në një krizë të vërtetë. Dhe pre e mungesave të shumta që përjetojnë spitalet janë jo vetëm pacientët, por edhe mjekët. "Pacientët nuk duan t'ia dinë pse mungon x medikament dhe për këtë na akuzojnë neve, madje në nuk mungojnë as rastet kur na kërcënojnë, pasi jemi ne që kemi kontakte të drejtpërdrejta me ta", - janë shprehur mjekët në denoncimet e tyre që kanë bërë pranë "Urdhërit të Mjekut". Vetë mjekët shfajësohen me faktin se ata nuk kanë se çfarë bëjnë përballë një situate ku mungojnë aparaturat, medikamenetet si dhe pagat e vogla që ata marrin. Përkrah tyre, pozicionohen edhe drejtuesit e "Urdhërit të Mjekut", të cilët shprehen se fajtorë për këtë situatë të krijuar, janë ndryshimet e titullarëve të Shëndetësisë, gjë e cila ka stopuar reformat, ndaj edhe spitalet janë në një situatë të pakëndshme. Ndërkohë që ata nuk kanë anashkaluar as fenomenin e mitmarrjes. Mjekët kanë pranuar se midis tyre ka edhe një pjesë të bluzave të bardha që thyejnë etikën mjekësore dhe kërkojnë lekë për çdo shërbim, por kanë shtuar se kjo nuk mund të zgjidhet me vetëgjyqësi. "Për çdo rast të abuzimeve të mjekëve, pacientët duhet të depozitojnë një ankesë pranë drejtorisë së spitalit ose "Urdhrit të Mjekut", - kanë deklaruar ata, duke shtuar se në fenomenin e mitmarrjes nuk janë pa faj edhe pacientët që japin rryshfet.
Fajet e mjekëve
Komunikimi jo i mirë me pacientët, mos sqarimi i tyre për efektet dhe pasojat e një ndërhyrjeje kirurgjikale, janë vetëm disa faktorë që ndikojnë në uljen e besimit të pacientëve te bluzat e bardha. Sipas presidentit të "Urdhrit të Mjekut" në Shqipëri, Din Abazaj, është detyrim jo vetëm etiko-profesional, por edhe ligjor që mjeku të informohet deri në detaje për të sëmurin dhe sëmundjen e tij, si dhe të sqarojë me të njëjtën mënyrë të sëmurin dhe të afërmit dhe familjarët e tij rreth sëmundjes dhe rreziqeve të saj. "Mungesa e një komunikimi të tillë, veçanërisht kur i sëmuri nuk shkon mirë apo vdes, lë shumë pika të errëta mbi punën e mjekut, - ka deklaruar disa ditë më parë Din Abazi. - Kjo e ngarkon me përgjegjësi mjekun edhe nëse ai ka punuar mirë. E theksojmë këtë, sepse ankesat për neglizhencë në mjekim apo vdekje të dyshuara për faj të mjekut, janë jo të rralla, dhe mjaft të vështira për t'u ekspertuar e për t'u dhënë një përgjigje bindëse, veçanërisht në rrethanat kur nuk bëhen autopsitë", - ka thënë Abazaj.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)