E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH lëshon pe, 2733 vende të lira për studentët

Nga Esmeralda Keta
Kanë të drejtë të aplikojnë me formularin A4 të gjithë ata që kanë kryer detyrimet e Maturës Shtetërore në vitin 2008 dhe nuk janë të regjistruar në asnjë program studimi të ciklit të parë. 

TIRANE- Për të gjithë ata kandidatë që kanë konkurruar për në fakultet, por nuk janë shpallur dot fitues, gjatë tre fazave të para do të ketë edhe një mundësi të fundit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur të rishpërndajë 2733 kuotat e mbetura bosh, pas përfundimit të fazës së tretë. Ministria e Arsimit ka bërë gati formularin A4, të cilin mund ta tërheqin për ta plotësuar vetëm ata që nuk kanë rezultuar fitues. Kësaj kategorie u është lënë 5 ditë në dispozicion për të plotësuar formularin, me preferencën ku ata duan të nisin studimet e larta. Ndërkohë që po për t'u ardhur në ndihmë të interesuarve, MASH-i ka publikuar edhe tabelën e plotë me vendet e mbetura bosh në të 11 universitetet publike.
Udhëzimi i ri
Udhëzimi i ri doli pasi në përfundim të regjistrimeve të fazës së tretë, u pa se një pjesë e madhe e kuotave kishin mbetur të paplotësuara. Bëhej fjalë për 2733 vende, që në të 11 universitetet publike kanë mbetur të lira. Pikërisht për këtë arsye, MASH-i vendosi t'u japë edhe një shans të katërt të gjithë atyre që ëndërrojnë të ulen në auditorët e shkollave të larta. Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikon udhëzimin për "plotësimin e kuotave të parealizuara të pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në IAL publike për vitin akademik 2008-2009". Kuotat e parealizuara të pranimeve në ciklin e parë të studimeve në vitin akademik 2008-2009 do të rishpërndahen sipas IAL dhe disa programeve të studimit. Kanë të drejtë të aplikojnë me formularin A4 të gjithë ata që kanë kryer detyrimet e Maturës Shtetërore në vitin 2008 dhe nuk janë të regjistruar në asnjë program studimi të ciklit të parë. Prej këtyre nxënësve, ata që kanë aplikuar me formularin A3 dhe nuk janë shpallur fitues në asnjë program studimi, të tërheqin, plotësojnë dhe dorëzojnë formularin A4 të personalizuar pranë DAR/ZA përkatëse në datat 24-28 nëntor. Ata nxënës që nuk kanë aplikuar me formularin A3 dhe nuk janë të regjistruar në asnjë program studimi, të tërheqin, plotësojnë dhe dorëzojnë formularin A4 pranë APRIAL-it në datat 24-28 nëntor.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›