E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët e familjes duhet të tratohen për rastet e dhunës ndaj fëmijëve në familje

Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik 

Mjekët e familjes dhe të shkollave duhet të kenë më tepër njohuri rreth vendeve ku mund të adresohen fëmijët e dhunuar, por dhe për rastet e shenjat e dhunës, fizike apo psikologjike të ushtruara ndaj tyre. Studimi i Institutit të Shëndetit Publik mbi vlerësimin e njohurive, qëndrimeve dhe nevojave të mjekëve të familjes dhe të shkollave për dhunën ndaj fëmijëve vëren se rreth 85 për qind e mjekëve të familjes nuk njohin siç duhet shenjat e dhunës ndaj fëmijëve, ndaj kanë nevojë të trajnohen. Nga studimi, i kryer mbi qëndrimin e tyre ndaj dhunimit të fëmijëve, apo aftësisë për të dalluar simptomat psikosomatike tek një fëmijë i dhunuar, si dhe njohurive rreth përgjegjësive të tyre ndaj një fëmije të dhunuar, rezulton se 58 % e tyre nuk e konsiderojnë dhunë ironizimin dhe frikësimin ndaj fëmijëve. Ndërkohë, 62 % e tyre nuk e konsiderojnë dhunë mungesën e afeksionit dhe vëmendjes. Bazuar në studim, 26 % e tyre raportojnë se nuk janë përballur me një fëmijë të dhunuar. Ndërsa, 80 % nuk i kanë raportuar këto raste dhe kjo për shkak se 64 % e tyre pohojnë se nuk është detyrë e tyre të raportojnë fëmijët e dhunuar. Një përqindje e lartë e mjekëve nuk konsiderojnë dhunë, jo vetëm atë fizike me gjuajtjet me pëllëmbë, apo shkuljen e flokëve, por edhe frikësimin apo kërcënimin për braktisje dhe heqje të drejtash. Kjo mungesë njohurie mbi format e dhunës, bën që mjekët të jenë pasivë ndaj parandalimit të këtyre sjelljeve. Referuar të dhënave të studimit, specialistët e ISHP e konsiderojnë mjaft të rëndësishëm dhe imediat trajnimin e mjekëve të familjes për të ndryshuar njohuritë, qëndrimet dhe sjelljet ndaj fëmijëve të dhunuar. Në studim u përfshinë 200 mjekë familjeje dhe shkollash të Tiranës (50 mjekë shkollash dhe 150 mjekë familjeje), të cilët kanë plotësuar pyetsorin përkatës gjatë periudhës shkurt-prill 2009. Ky pyetësor mbledh të dhëna rreth qëndrimeve të mjekëve ndaj dhunimit të fëmijëve, aftësisë së tyre për të dalluar simptoma psikosomatike tek një fëmijë i dhunuar, njohurive rreth përgjegjësive të tyre ndaj një fëmije të dhunuar dhe nivelit të informimit të tyre mbi institucionet, ku mund të referohen këta fëmijë. Nëpërmjet pyetsorit janë marrë të dhëna edhe rreth nevojave të mjekëve në këtë fushë, për të trajtuar në mënyrë sa më efiçente rastet e fëmijëve të dhunuar, si dhe për të parandaluar këtë fenomen. Sipas specialistëve, një fëmijë quhet i dhunuar edhe kur e fyen, ironizon, frikëson, e lë pa vëmendje apo dhe e tremb se do ta lësh vetëm, apo se do t’i heqësh disa nga të drejtat e tij, nëse vazhdon të gabojë.

Bashkëpunim me OJF për monitorimin për zbatimin e të drejtave të njeriut

Zyra e Avokatit të Popullit do të forcojë aktivitetin monitorues dhe parandalues në rolin e tij si mekanizëm kombëtar për parandalimin e torturës, në sajë të bashkëpunimit me disa organizata jo qeveritare të cilat operojnë në fushën e të drejtave të njeriut. Avokati i  Popullit, Ermir Dobjani nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me drejtues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, (KSHH) Qendrës Shqiptare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QSHRVT) dhe Institutit Europian të Tiranës (IET), në një ceremoni ku ishin të pranishëm dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Marrëveshja synon forcimin e roli  monitorues të Zyrës së Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile, në kontributin që ajo duhet të japë për përmirësimin e standardeve të trajtimit të personave të privuar nga liria. Organizatat e mësipërme janë angazhuar në zbatimin e projekteve të veçanta per monitorimin e ambienteve te izolimit ne burgje, polici, spitale, ushtri etj., dhe në këtë kuader parashtruan nevojën e kombinimit të aktivitetit të tyre,  në partneritet të ngushtë me Zyrën e Avokatit të Popullit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›