Çështja “Gërdeci”, sot u caktua një grup i ri gjykues
Gjykata e Tiranës ka caktuar sot trupin e ri gjykues të çështjes "Gërdeci", pas dorëheqjes së gjyqtarit Kreshnik Omari.
Shorti i organizuar për të dytën herë në këtë Gjykatë ka zgjedhur një trup gjykues që përbëhet nga gjyqtarët Ridvan Hado, Shefkie Demiraj dhe Fehmi Petku. Ribërja e shortit vjen pas dorëheqjes së gjyqtarit Kreshnik Omari, i cili refuzoi pjesëmarrjen në trupin gjykues të çështjes "Gërdeci", për shkak të konfliktit të interesit që kishte, pasi bashkëshortja e tij, avokate në një studio, mbron interesat e një prej të pandehurve të saj, Ilmi Lacajt. Tashmë, Gjykata pritet të nisë shqyrtimin e kësaj çështjeje, e cila ka 28 persona të pandehur, pjesa më e madhe e të cilëve ish- funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë Shqiptare. Të pandehurit dyshohen si përgjegjës për ngjarjen e 15 marsit të vitit 2008 në fshatin Gërdec, Tiranë, kur si pasojë e një shpërthimi në ish -fabrikën e demontimit të municioneve, humbën jetën 26 persona, ndërsa mbetën të plagosur dhjetra të tjerë. I pandehur në këtë ngjarje është edhe ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ndryshe nga të tjerët, është në procedimin e Gjykatës së Lartë, për shkak të cilësisë së tij, si deputet i Parlamentit Shqiptar.
...