E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët e shkollave udhëzojnë për masat parandaluese të A H1N1

Nisja e vitit arsimor 2009-2010 (14 shtator) nuk do të shtyhet për shkak të përhapjes së virusit A (H1N1), i njohur ndryshe si gripi i derrit. Ndërkohë, mjekët e shkollave dhe promocionit pranë Drejtorive të Shëndetit Publik në rrethe kanë marrë nga specialistët e shëndetit publik udhëzimet përkatëse mbi masat për parandalimin e virusit, si dhe mënyrën e sjelljes në raste të prekjes perj tij. "Bazuar në situatën epidemiologjike në vend dhe në të dhëna shkencore për sjelljen e virusit është mendimi unamin i të gjithë ekspertëve që shkollat do të hapen në kohën e duhur", tha drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, gjatë një seminari të zhvilluar me mjekë të shkollave.  Sipas tij, nuk ka arsye të marrim masa që kanë të bëjnë me vonesën e hapjes së shkollave.. "Ne rekomandojmë dhe këshillojmë institucionet arsimore, por dhe strukturat tona dhe gjithë popullatën në përgjithësi për të patur kujdes", tha Bejtja. Kujdesi, sipas tij, duhet të konsistojë në disa drejtime kryesore, një ndër të cilët respektimi  i rregullave bazë të higjenës personale dhe kolektive, që duhet të jenë në nivele më të larta të mundshme. "Çdo indiv duhet të mbulojë fytyrën kur teshtin, apo kollitet, të hedhë facoletën e përdorur në vendin e duhur, të lajë duart sa herë kollitet e teshtin, apo sa herë prek fytyrën, si dhe të jetë i kujdesshëm ndaj një shoku, apo shoqe, tek i cili konstatohet sëmundje të infeksioneve respiratore të poshtme dhe sipërme, me shenja si kollë, temepraturë, dhimbje gjoksi, etj", theksoi Bejtja. Ai këshilloi se "nëse një nxënës, apo mësues, konstaton se ka shenja të tilla, kollë dhe temperaturë, është e këshillueshme që ai të mos shkojë në shkollë, por të vetëizolohet, të qëndrojë në shtëpi dhe të kërkojë ndihmën mjekësore, derisa të shërohet dhe të zhduken shenjat që shfaq". Në seminar, epidemilogu Dritan Ulqinaku foli mbi situatën epidemiologjike të visurit A (H1N1) në vend. Ai sqaroi mjekët mbi simpomat e gripit të zakonshëm dhe atij H1N1, duke theksuar se ky virus ka karakteristika të tjera nga gripi i zakonshëm. Sipas tij, jo vetëm institucionet shëndetësore, por të gjitha strukturat e shtetit duhet të përgatiten në rast pandemie.  Shefe e Promocionit në Institutin e Shëndetit Publik, Jeta Lakrori, prezantoi për mjekët fletëpalosjet e përgatitura për nxënësit e shkollave, si dhe posterat përkatëse.  Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit dhe Shkenëcës po bashkëpunojnë ngushtësisht në mënyrë që fëmijët të marrin informacionin e duhur për parandalimin e infeksionit të mundshëm nga ky virus. Ndër masat e marra ndaj virusit A (H1N1) në shkolla është edhe raportimi i vazhdueshem i gjendjes shëndetësore të nxënësve, mungesat e tyre dhe arsyet pranë autoriteteve shëndetësore, me qëllim mbajtjen nën kontroll të situatës.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›