E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët i hoqën shpretkën gabimisht gjyqi i jep 100 mijë euro

VLORE- Gjykata e Vlorës ka dëmshpërblyer në shumën e 100 mijë euro një pacient, i cili ka humbur shpretkën dhe një pjesë të zorrës së trashë nga një operacioni i 'gabuar' i mjekëve të spitalit të Vlorës. "Gazeta Shqiptare" shkruan sot se vendimi u mor dy ditë më parë nga gjykatësi Fuat Muka, i cili detyroi spitalin rajonal të Vlorës të dëmshpërblejë pacientin Paskal Nesturi.

Mesditën e 16 marsit 2010 Paskal Nesturi kishte mbërritur në spitalin e Vlorës, pasi kishte kriza të forta në bark. Mjekët e kishin futur direkt në sallën e operacionit duke i hequr shpretkën. Duke mos i dhënë siguri për jetën, Nesturi udhëtoi drejt Greqisë dhe bluzat e bardha vërejtën se heqja e shpretkës ishte e panevojshme.

Pas kthimit nga Greqia, Nesturi iu drejtua gjykatës së Vlorës me një padi kundra spitalit rajonal Vlorë, ku kërkoi dëmshpërblim prej 70 mijë eurosh për heqjen e shpretkës dhe 30 mijë euro dëm moral.

Në raportin e ekspertëve të mjekësisë ligjore janë konstatuar "gabimet" e mjekëve të spitalit të Vlorës, të cilët kanë kryer ndërhyrjes kirurgjikale të Paskal Nesturit.

Bazuar në prova Gjykata e Vlorës vendosi të pranojë kërkesën e Paskal Nesturit dhe ta dëmshpërblejë atë në shumën e 100 mijë eurove për dëmin e shkaktuar. Nga ndërhyrja e padrejtë kirurgjikale pacientit i është shkaktuar paaftësi e përhershme për punë.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›