Mjekët italianë të mbetur në Shqipëri, si u trajtuan nga komunistët
Historia e kirurgut italian, zbardhet vendimi i dënimit me vdekje
Nga Luan Shtëpani
Dënim me vdekje. Ky ka qenë fati tragjik i kirurgut italian Prof. Venanzio Lozzi, i cili kishte mbërritur në Shqipëri për të ushtruar profesionin e tij të kirurgut, pas pushtimit nga Italia. Dr. Losi i njohur kështu në Tiranë punoi si kirurg në Spitalit e Përgjithshëm Civil dhe konsulent në Spitalit e Përgjithshëm Ushtarak, ku përkushtimi i tij ndaj njerëzve përmendet me shumë respekt edhe sot e kësaj dite. Pavarësisht kësaj, pas çlirimit të Shqipërisë ai do të akuzohej se kishte ndihmuar bashkëkombasit e tij për tu arratisur. Arrestohet më 15 prill 1946.
Marrëveshja mes Hoxhës dhe zv/ministrin italian të Luftës
Duhet thënë se italianët e mbetur në Shqipëri u tradhëtuan në radhë të parë nga krerët e qeverisë së tyre në Itali. Enver Hoxha arriti të nënshkruajë më 14 mars 1945 një marrëveshje me zv/ministrin italian të Luftës, Mario Palermo ku i lihej dorë e lirë pushtetit në Shqipëri të lejonte në mënyrë selektive riatdhesimin e tyre. Në pikën e parë të saj shkruhej se Qeveria shqiptare pranon propozimin e Palermos për riatdhesimin e të gjithë italianëve që gjenden rezidentë në Shqipëri, me përjashtim të atyre kompanive italiane dhe specialistëve, që janë të domosdoshëm për rindërtimin e vendit. Kështu pra, specialistët italianë, në formë dënimi për krimet e fashizmit, duhet të vazhdonin të punonin për rindërtimin e Shqipërisë së shkatërruar nga lufta. Vlen theksohet se specialistët italianë të mbërritur në Shqipëri, të cilët ishin jashtë strukturave ushtarake, ishin nën kujdesin e Jakomonit, mëkëmbësit të Mbretit Viktor Emanuel, që ishte njëkohësisht edhe Perandor i Shqipërisë së okupuar. Për të mbrojtur interesat e tyre specialistët italianë kishin krijuar ndërkohë në Shqipëri Komitetin e Asistencës për Italianët.
Vendimi i Gjykatës
Gjykata Ushtarake e Tiranës e datës 3 gusht 1946, e dënon Venanzio Lozzi-n me pushkatim. Në vendim thuhet se Profesor Venanzio Lozzi është i biri i Andreas dhe Antonina Tecca-s, lindur më 1 dhjetor 1900 në Fagnano Alto të Aquilla-s në Itali, se banon në Tiranë, se është kirurg i Spitalit të Përgjithshëm Civil dhe konsulent i Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak, se ka arsim të lartë dhe se është i martuar me tre fëmijë. Pas kapitullimit të nazizmit gjerman, gjykata shprehet se i pandehuri Lozzi vazhdonte aktivitetin e tij antipopullor duke u lidhur me reaksionin e huaj. Jepte informacione të gabuara
në lidhje me shpërndarjen e barnave medicinale për të diskredituar pushtetin në Shqipëri. Gjykata shkon më tej, teksa shprehet se reaksioni po mundohet të organizojë dhe njëherë Gestapon dhe dhe Sim in në forma të ndryshme duke kërkuar agjentët e vjetër. Këtu akuzohet dr. Lozi i cili sipas gjykatës ka dhënë informata të sigurta rreth këtyre agjentëve dhe se ai ishte në dieni të të gjithë informacionit të tyre në dëm të interesave të popullit shqiptar. Po ashtu ka qenë në dijeni të nxjerrjes jashtë shtetit në mënyrë të paligjshme të dokumentave me karakter informativ. Do të akuzohej se ka marrë pjesë aktive për organizimin e arratisjes së grupit të parë të italianëve të përbërë nga Canavese, Collessanti, Morgante dhe Saraçeni. Për organizmin e këtij plani, pranon të bëjë në shtëpinë e tij mbledhje ilegale dhe vihet në dispozicion të tyre me gjithë makinën. Ai ka shkuar në Durrës ku ka biseduar me ish- kapitenin Salvatore për të lehtësuar këtë arratisje. Grupi i dytë që do të arratisej ku bënte pjesë dhe dr. Lozzi ishte në dieni të arratisjes së parë dhe njëkohësisht të parrullës Aristide apre il negozio a Roma a tale ora e data Kjo parrullë sipas gjykatës, do të jepej me radio nga Morgante ku një ditë më vonë doktori së bashku me shokët e tij, do të shkonin në vendin e caktuar ku do ti priste barka për tu arratisur. Po ashtu kishte dhe plane të tjera për tu arratisur nga Porti i Durrësit.
Tentativa e arratisjes dështon. Protagonistët arrestohen dhe dërgohen para Gjykatës Ushtarake të Tiranës.
Mbrojtja kundërshton akuzat
Dr. Lozzi ka qenë i inkuadruar në radhët e partizanëve pas kapitullit të Italisë. Ky fakt pohohet nga mbrojtja, por dhe nuk kundërshtohet nga akuza e cila shprehet se është e vërtetë se i pandehuri kohët e fundit doli në mal ku u bashkua me partizanët dhe se këtë e kanë bërë edhe shumë italiane të tjerë. Sipas akuzës kur panë përmbysjen e fashizmit ata deshën të tregoheshin kundra tij. Por, më vonë pas kësaj përmbysje duke patur gjithmonë tendenca reaksionare filluan të krijonin lidhje me mbeturinat e fashizmit për ta ringjallur dhe një herë. Gjykata argumentoi se veprimtaria e të pandehurve parashikohet dhe ndëshkohet si faj bazuar ne nenin 1 të ligjit nr. 21 dt 15 dhjetor 1944, mbi sabotatorët e luftës dhe të pushtetit dhe prej nenit 3 të ligjit nr. 20. Të dyja këto ligje janë të botuara në fletoren zyrtare nr. 2 dt 23 dhjetor 1944. Listën padyshim do ta kryesonte kirurgu Prof. Lozzi. Çështja do të shkonte në Gjykatën e Lartë e cila e la në fuqi dënimin.
Si u trajtuan nga shqiptarët të tjerë mjekë italianë
Pas kapitullimit të Italisë mjekë italianë, u vunë në shërbim të luftës. Kështu, doktori i ushtrisë italiane toger Gaspër Kaliri i cili ishte nga Kalabria, shkoi në një nga fshatrat e Tiranës ku dhe ushtroi detyrën e mjekut për të shëruar partizanët e plagosur nga lufta. Sipas dëshmitarëve të kohës, ai shprehej se ishte socialdemokrat, gjë që e pohonte dhe në shqip. Më pas ai sistemohet në Shëngjergj të Tiranës, ku i sigurohet vendi se ku do të banonte po ashtu dhe liri e plotë për të kryer profesionin e tij dhe me pagesë. Radhitet në radhët e ushtrisë partizane, ndërsa në vitin 1945 u caktua shef i infermierisë ushtarake të garnizonit të Tiranës. Ndërsa dr. Italo Viti gjithashtu toger shëndetësor i ushtrisë italiane që kapitulloi ishte efektiv i divizionit të mbrojtjes së popullit. Doktori ishte jo vetëm një mjek i përsosur, por ai gëzonte të gjitha cilësitë morale dhe shoqërore. Po sipas dëshmitarëve të kohës, ai fliste me urrejtje për fashizmin dhe thoshte se ishte anëtar i Partisë Socialdemokrate për Toskanën. Simpatia për të i kalon kufijtë e imagjinatës. Atij do ti propozohej për tu martuar me një vajzë nga Durrësi, pjesëtare e një familje shumë të nderuar. Por përgjigjja e tij për këtë propozim do të ishte “kam vetëm nënën në Itali, pa e pyetur atë nuk do të bëj asnjë veprim “. Ishte e mjaftueshme kjo përgjigje për të treguar karakterin e lartë të doktorit. Kur qeveria miratoi kthimin dhe të specialistëve italianë për në vendin e tyre, Dr. Viti u largua së bashku me një karakteristikë të mirë të përpiluar nga ana e autoriteteve shqiptare. Ndërsa dr. Santori ishte një tjetër italian i cili shpesh vizitonte malësinë e Tiranës. Ai ishte i mirëpritur nga banorët e zonës.