E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilaçet, qendër vigjilence për të ditur efektet te pacientët

 

Në Shqipëri mungon kontrolli i barnave sipas standardeve  ndërkombëtare. Ato nuk fabrikohen, as shpërndahen dhe as ruhen siç duhet në farmaci. Sakaq, mungon edhe praktika e prodhimit të mirë të tyre. Ky është konstatimi i Bankës Botërore për barnat, pas studimit të kryer në institucionet spitalore e politikbërëse në vendin tonë. Të dhënat janë bërë me dije për publikun nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Por jo vetëm kaq. Nga një tjetër studim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë rezulton, se shqiptarët konsumojnë më shumë ilaçe seç duhet. Shpesh pa ditur efektet bëhen automjekues të vetes, duke shmangur konsultën e mjekëve specialistë. Pikërisht për t’u dhënë udhë këtyre problemeve Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave brenda vitit 2009 do të ngrenë një qendër të specializuar për t’u dhënë mundësinë pacientëve të informohen më parë për efektet e medikamenteve. Gjithashtu, me ngritjen e saj do të testohet popullata, duke pasur të dhëna të sakta mbi konsumin e ilaçeve. ”Ne kemi vënë tashmë në dispozicion një numër telefoni e një adresë kontakti për të gjithë të interesuarit. Kjo për të mundësuar raportimin e të gjitha efekteve anësore të barnave, si dhe veprimin e tyre. Por, ngritja e një qendre të mirëfilltë farmakovigjilence mbetet një prioritet”, shprehet drejtori i QKKB-së Besnik Jakaj. Sipas tij, gjithçka po ndërmerret në vijim të hapave të para në fushën e farmakovigjilencës në Shqipëri. Nisma është në përputhje me direktivat më të fundit të BE-së dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. “Krijimi i një qendre farmakovigjilence, për herë të parë në vendin tonë, do të ndihmojë në vlerësimin dhe parandalimin e efekteve anësore dhe gjithë problemeve, që lidhen me konsumimin e barnave. Aktualisht, në mungesë të saj nuk ka asnjë parametër të matshëm për mënyrën si i përdorin shqiptarët medikamentet, nëse është ajo e drejtë apo e gabuar”, sqaron Jakaj. Ky problem disa muaj më parë është ngritur edhe në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, pas të dhënave se konsumi i ilaçeve bëhet shpesh edhe kur nuk është i domosdoshëm. “Farmakovigjilenca është një shkencë relativisht e re, që po ndikon ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës, pasi barnat radhiten si një ndër 10 shkaqet kryesore që sjellin si pasojë, vdekjen e përdoruesve të tyre”, thekson drejtori i QKKB. “Nga ana tjetër ne synojmë të ngremë edhe një strukturë të përhershme dhe të specializuar për të kontrolluar kushtet e fabrikimit të ilaçeve. Gjithashtu, prioritet për këtë vit kemi vënë ngritjen në nivele tekniko-shkencore më të larta të specialistëve, por edhe të analizave laboratorike, duke përdorur teknika bashkëkohore dhe aparate të sofistikuara”, nënvizon Besnik Jakaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›