E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët, një pagë shpërblim për festat e fundvitit

Autori i Lajmit: Redaksia
Bluzat e bardha do të marrin këtë fundvit nga 10 mijë lekë të reja deri në një pagë shpërblim. Bashkë me ta edhe pjesa tjetër e personelit, ku bëjnë pjesë sanitaret e infermieret. Në total, janë mbi 11 mijë punonjës që do të përfitojnë këto para që do të shpërndahen brenda këtij muaji. Ashtu si edhe një vit më parë shpërblimi nuk do të jetë një shumë fikse e përcaktuar, por pikërisht bazuar në punën e kryer dhe shërbimin e ofruar ndaj pacientëve. Sipas të dhënave rezulton se shpërblimi në këtë fundviti është deri në një pagë mujore për mjekët dhe stafin tjetër. Bazuar në performancën e realizuar nga qendrat shëndetësore, ISKSH do të shpërblejë të gjithë punonjësit e këtyre qendrave. Ky shpërblim bazohet në 10% shtesë për performancë dhe 5% shtesë për cilësinë e shërbimit (bonusi). Mbështetur në realizimin e 11-mujorit dhe në buxhetin e akorduar, qendrat shëndetësore pritet të japin deri një pagë shpërblim për rezultatet e arritura në këtë fundviti. Nga dhënia e një page shpërblim përfitojnë rreth 9300 punonjës në 419 qendra shëndetësore. Përpos kësaj, duke matur indikatorët specialistët do të bëjnë edhe një renditje të rretheve ku mjekët e ambulancave kanë punuar më mirë. Sipas vendimit të qeverisë të marrë pak ditë më parë të gjithë punonjësit që paguhen nga buxheti i shtetit do të marrin nga 10 mijë lekë të reja shpërblim për festën e Vitit të Ri. Ndërkohë, ata punonjës që do të vlerësohen pozitivisht nga bordi drejtues do të marrin një ose dy rroga shpërblim. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, çdo institucion është i detyruar të sigurojë për çdo punonjës të tij një shpërblim minimal prej 10 mijë lekësh, ndërsa shuma përfundimtare që do të përfitojnë punonjësit, vendoset në varësi të shumës së parave që i ka mbetur këtij institucioni nga fondi i veçantë. Për përcaktimin e shtesës mbi shumën prej 10 mijë lekësh që është e vendosur me VKM, një rol të rëndësishëm luan edhe titullari i institucionit, i cili merr në konsideratë mbarëvajtjen vjetore të punonjësve, para se të vendosë shumën plus që i takon secilit prej tyre. Kur afrohet periudha e festave, që korrespondon edhe me marrjen e shpërblimeve, ky i fundit bën një bilanc të ecurisë në secilin sektor të institucionit të drejtuar nga ai. Vlerësimi ndahet në tre kategori: shumë mirë, mirë dhe dobët. Për punonjësit e vleresuar shumë mirë, shpërblimi është një deri në dy paga, por realisht janë shumë pak persona që marrin dy të tilla. Personat e vlerësuar me kriterin mirë, përfitojnë gjysmë page shpërblim, ndërsa më të dobëtit do të mjaftohen me 10 mijë lekë. Sipas ventimit të Këshillit të Ministrave në njësitë e qeverisjes së përgjithshme krijohet fondi i veçantë, në masën 5 për qind të fondit të planifikuar për pagat. Ky fond do të përdoret nga drejtuesit e njësive të qeverisjes së përgjithshme për shpërblimin e punonjësve, për rezultate të mira në punë, për dhënie ndihmash të menjëhershme, në raste fatkeqësish, sëmundjesh që kërkojnë ndërhyrje shëndetësore jashte vendit, për veprimtari social-kulturore, si dhe për rastet e daljes në pension pleqërie. Ndërkohë që nga ky vendim përjashtohen të gjithë ata punonjës buxhetorë që janë të varur nga pushtetit lokal. Pasi në rastin e tyre vendimin për masën e shpërblimeve do të marrin drejtuesit e bashkive, të cilët në bazë të buxhetit të tyre do të përcaktojnë edhe se sa do të jenë shpërblimet për festat e fundvitit.

Shpërblimet sipas Performancës

1. Llogaritja e fondit të poliklinikave
2. Numri i banorëve të regjistruar në masën 85%
3. Performanca e dhënies së shërbimeve, 10%
4. bonusi prej 5% (përfitojnë qendrat që punojnë për uljen e vlerës vjetore të recetave për banorët e regjistruar uljen e numrin e referimeve te shërbimi i specializuar.
Ky lajm është publikuar: 10/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›