E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hilari Klinton tërhiqet: Obama ka të gjithë mbështetjen time

Hilari Klinton ka vendosur t‘i japë fund përpjekjes së saj të gjatë për të fituar mbështetjen e demokratëve për garën e Shtëpisë së Bardhë dhe pritet që të deklarojë mbështetjen e saj ndaj Barak Obamës. Në këtë mënyrë, ajo i jep fund një beteje të madhe 16-mujore, që shkaktoi një traumë dhe një çarje të madhe brenda partisë. Këto mendime ajo i ka shprehur në një letër publike, në të cilën thuhet se ajo do ta mbështesë publikisht Obamën të shtunën dhe që këtej e tutje do të vërë të gjithë angazhimin dhe forcat e saj në funksion të unifikimit të partisë dhe fitores së Obamës në garën kundër kandidatit republikan. Për sa i përket Obamës, ai e shpalli fitoren e tij që të martën me përfundimin e votimeve, të cilat i dhuruan numrin e duhur të votave për të fituar në takimin e partisë. Hilari, ndërkohë qëndroi deri në fund, duke mos bërë asnjë lloj komenti deri ditën e djeshme, kur u prononcua përmes letrës. "Përpara kemi një periudhë shumë të vështirë dhe të rëndësishme, ndaj sot e tutje duhet të përqendrohemi tërësisht te përpjekja për të marrë Shtëpinë e Bardhë dhe për të mundur kandidatin republikan. Për sa i përket këtij të fundit, ai i bëri ftesë Obamës që të bashkohej me të për të realizuar një sërë debatesh e diskutimesh në vende të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë stinës së verës. Obama i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese, por ndërkohë theksoi se detyra e tij e menjëhershme ishte gjetja e personit që do të jetë zëvendësi i tij, nëse do të arrijë ta fitojë Shtëpinë e Bardhë. E ndërsa nuk ka thënë ende emra konkretë për një pozicion të tillë, ai tha se do ta priste shumë pozitivisht ndërhyrjen e Bill Klintonit gjatë vazhdimit të garës presidenciale, duke qenë se përvoja e tij është jashtëzakonisht e madhe.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›