E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda, barnat me pullë të dyfishtë sigurie

Të gjitha barnat që do të tregtohen në vendin tonë do të pajisen me pullë të dyfishtë, çka do të rrisë sigurinë e tyre. Menjëherë pas aplikimit, pulla e dyfishtë e kontrollit të barnave do të përbëhet nga një pullë bazë, e cila mbetet në paketimin e barit, dhe një pullë vetëngjitëse, e cila shkëputet nga paketimi i barit nga farmacisti dhe vendoset mbi recetën e mjekut, rast pas rasti, me qëllim kontrollin dhe monitorimin e shitjes së barnave me recetën e mjekut dhe të funksionimit të skemës së rimbursimit të barnave. Ky është thelbi i projektligjit të propozuar nga Ministria e Shëndetësisë, për një ndryshim në ligjin nr.9323, datë 25.11.2004, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, i cili dje ka marrë edhe miratimin e tij të parë nga Këshilli i Ministrave. Sipas ndryshimeve të bëra në ligjin ekzistues për barnat dhe shërbimin farmaceutik, të gjitha barnat, që prodhohen në vend, me destinacion tregun shqiptar apo të huaj, si dhe barnat, që importohen nga jashtë, me destinacion tregun vendas, duhet të kenë detyrimisht të aplikuar në paketim pullën e kontrollit të barnave. Elementet e pullës së kontrollit të barnave, si dhe procedurat e prodhimit, të shpërndarjes e të monitorimit, përcaktohen në dispozitat e ligjit “Për miratimin e kontratës së koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “Sicpa Security Solutions S.A.” dhe “Sicpa Security Solutions Albania SH..K.”, si dhe të akteve nënligjore, të nxjerra në zbatim të tyre. Pulla e kontrollit të barnave do të prodhohet në formatin e pullës së vetme, të paktën deri më 31 dhjetor 2011. Dizenjoja dhe elementët e pullës së vetme të kontrollit të barnave do të miratohen nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave, për koncesionarin. Pulla e kontrollit të barnave duhet të përmbajë, detyrimisht, të paktën elementet e dukshme, si më poshtë vijon: emrin dhe formë-dozën e barit; çmimin e shitjes me pakicë të barit (përfshirë TVSH-në); identifikimin e prodhuesit apo të importuesit të autorizuar me anën e kodit dyshifror; numrin serial të dukshëm të referencës. Për sa i përket kohës se kur do të fillojë aplikimi i pullës së dyfishtë, ajo do të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave. Ndërsa dizenjoja dhe elementet e pullës së dyfishtë të kontrollit të barnave do miratohen nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave për koncesionarin. Sipas vendimit, pulla e dyfishtë e kontrollit të barnave duhet të përmbajë, detyrimisht, në secilën nga pjesët e pullës, të paktën, elementet e dukshme, si më poshtë vijon: emrin dhe formë-dozën e barit; çmimin e shitjes me pakicë të barit (përfshirë TVSH-në); identifikimin e prodhuesit apo të importuesit të autorizuar me anën e kodit dyshifror; numrin serial të dukshëm të referencës. Aplikimi i pullave të kontrollit të barnave, për barnat që prodhohen në vend, do të kryhet në fabrikën prodhuese vendase, para hedhjes në treg të tyre. Kurse për barnat që importohen në vend aplikimi i pullave të kontrollit të barnave , do të kryhet në fabrikën prodhuese jashtë Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›