E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët, të papunë po s’ndoqën trajnimet

 

ZIRINA LLAMBRO

Rregulla e sanksione të forta për mjekët që nuk kualifikohen në vazhdimësi. Trajnimi do të jetë kushti kryesor edhe për procesion e licencimit dhe rilicencimit të bluzave të bardha. Në të kundërt do t’u hiqet e drejta e punësimit dhe lidhjes së kontratave të punës. Këtë parashikon ligji për “Kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”. Pas prezantimit të draftit final nga Ministria e Shëndetësisë, qeveria ka dhënë tashmë “Ok” për vënien e tij në zbatim, me ndryshimet përkatëse. “Punësimi, privilegjet ose kontratat në institucionet shëndetësore, publike e private, do të përfundojnë, nëse stafi profesionist nuk arrin t’i mbajë licencat e vlefshme, sipas dispozitave të rilicencimit të shoqatave respektive të profesionistëve”, thuhet në nenin 32 të ligjit. Pra mjekët janë të detyruar që t’i nënshtrohen programeve të vazhdueshme të edukimit për të përmirësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre profesionale, në mënyrë që të rrisin cilësinë e kujdesit shëndetësor. “Institucionet e kujdesit shëndetësor i nënshtrohen sanksioneve në rast se do të punësojnë specialistë të cilët nuk i përmbushin kërkesat e parashikuara në këtë nen”, përcaktohet në ligj. Ky paragraf është shtuar për të nxitur dhënësit e shërbimit mjekësor në marrjen e masave kundrejt edukimit të bluzave të bardha. “Edukimi i vazhdueshëm profesionist është një kërkesë e detyrueshme për rilicencimin”, thuhet në nenin 32. Kjo pikë shënon një erë të re për mënyrën sesi do të vlerësohen mjekët. Deri tani automatikisht, pas përfundimit të shkollës, studentët e mjekësisë kanë marrë titullin mjek. Dijet, profesionalizimi i tyre edhe atëherë kur nuk kanë qenë në nivelin e duhur, nuk ua kanë vënë më në diskutim. Përpos kësaj as në kontroll. E gjithë kjo situatë ka bërë që ndryshe nga vendet e tjera, shërbimi shëndetësor të mos ecë me hapat e duhur. Kjo për aq kohë sa mungojnë kontrollet. Në kuadër të këtij ndryshimi, një nen i veçantë në ligj i është lënë akreditimit të institucioneve shëndetësore. Çka do të thotë që do të kenë një sërë standardesh të matshme për cilësinë e shërbimit që do të ofrojnë. “Të gjitha spitalet marrin, përveç licencës nga Ministria e Shëndetësisë, të paktën një nivel minimal akreditimi nga Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit për të siguruar që ambienti plotëson disa standarde të paracaktuara në lidhje me objektin fizik, organin drejtues, administrimin, procedurat, proceset, kodimin në funksion të përkufizimeve të protokolleve mjekësore, për personelin mjekësor dhe për personelin tjetër”, përcakton neni 25.

Mjekët popullorë
Mjekët apo  pseudo mjekët popullorë, nuk do të munden më të bëjnë reklamë e të trajtojnë të sëmurët. Kjo në rast se asistenca që ata japin nuk është bazuar në faktet e shkencës dhe mjekësisë bashkëkohore. Gjithçka sanksionohet nga ligji i ri. Sipas tij, fusha e trajtimeve, kushtet dhe mënyra e përdorimit të metodave jokonvencionale terapeutike, përcaktohen nga Ministria e Shëndetësisë.

Sanksionet
Mospërmbushja e detyrimeve mbi cilësinë e shërbimit, standardet që duhen ofruar, si dhe përcaktimit të saktë të diagnozave të përcaktuara në nenin 20 dhe 21, dënohet me 50-100 mijë lekë gjobë. Në raste të përsëritura, deri në heqje licence. Në këto nene përcaktohen gjerësisht të gjitha rregullat që duhet të zbatojnë mjekët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›