Part-time,sot shpallen kuotat bosh në universitetet publike
Sot universitetet do të afishojnë të gjitha vendet bosh për sistemin part-time. Sakaq kandidatët e shpallur fitues në fazën e parë të regjistrimeve duhet të plotësojnë dhe të dorëzojnë në fakultete një deklaratë personale. Ata mund ta gjejnë modelin e saj pranë sekretarive mësimore të degës përkatëse. Të regjistruarit që nuk plotësojnë këtë deklaratë do të ç’regjistrohen. Këtë përcakton udhëzimi i Ministrisë së Arsimit për rishpërndarjen e kuotave të parealizuara. “Institucionet publike të Arsimit të Lartë, në datën 5.01.2009, të shpallin në vende të dukshme datat dhe oraret e veprimeve të konkurrimit dhe të regjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim”, thuhet në udhëzimin e MASH. Do të jenë fakultetet ato që do të organizojnë procesin e pranimit dhe të regjistrimit të kandidatëve në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme. Aplikimi për regjistrim i kandidatëve do të bëhet pranë sekretarive mësimore me anë të dosjes përkatëse. Në të duhet të gjenden dëftesa e pjekurie së shkollës së mesme ose diplomë tjetër studimi, të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barazvlefshme me të. Gjithashtu është i nevojshëm një dokument identifikimi (certifikatë lindje me fotografi ose pasaportë). Përpos tyre, dosja duhet të përmbajë 2 fotografi; Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë dhe deklaratë individuale e kandidatit. Kandidatët që do të regjistrohen në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, por që e kanë tashmë një diplomë, përveç dokumenteve të përcaktuar, të dorëzojnë në sekretaritë mësimore dhe diplomën përkatëse. “Institucionet publike të Arsimit të Lartë, të shpallin dhe të afishojnë listat e të gjithë aplikantëve të renditura sipas rendit zbritës të pikëve të fituara në përputhje me kriteret akademike të përcaktuara dhe të bëra publike paraprakisht, në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, brenda orës 12:00 të datës 9 janar”, thuhet në udhëzim. Sipas tij, pas mbylljes së procesit të regjistrimit dhe plotësimit të deklaratave individuale nga të gjithë të regjistruarit, kuotat e parealizuara plotësohen nga universitetet në datat 21, 22, 23 janar 2009, duke respektuar renditjen e kandidatëve. “Pas mbylljes së procesit të regjistrimit, Institucionet Publike të Arsimit të Lartë të dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, në datën 31.01.2009 listat përfundimtare të kandidatëve fitues të regjistruar. Në lista të evidentohet dokumenti shkollor mbi të cilin është bërë regjistrimi”, saktëson udhëzimi.