Mjekja, gjobë 150 mijë lekë për vdekjen e foshnjes
Korçë- Një foshnje 1-vjeçe vdiq nga pakujdesia e mjekes pediatre dhe për këtë ajo do të duhet të paguajë vetëm 150 mijë lekë gjobë. Vendimi është marrë nga Gjykata e Korçës, e cila shpalli fajtore mjeken e spitalit rajonal, Zhaneta Babliku për vdekjen e foshnjes, K.Ll, nga fshati Sul i Devollit. Vendimi u dha sot, dy vjet pas ngjarjes, sepse oragni i akuzës pas padisë së prindërve ka mundur të sigurojë prova të mjaftueshme kundër pediatres. “Foshnja ka vdekur për faj të mjekes dhe për këtë ajo shpallet fajtore për veprën penale të vdekjes nga pakujdesia”- tha gjykata, duke shtuar se mjekja mund të ndërhynte në kohë për të shpëtuar vajzën.
Vdekja është regjistruar gjatë muajit maj të vitit 2006 në turnin e natës së mjekes Babliku. Bebja, ishte fëmija i parë i çiftit nga rrethi i Devollit dhe ka mbetur e vdekur gjatë natës në spital dhe sipas akuzës së prindërve shkak është bërë mos ndërhyrja në kohë e mjekes së turnit dhe njëkohësisht përgjegjëse e repartit në këtë spital. Nga autopsia ka rezultuar se në trakenë e bebes ka mbetur një kokër fasule e cila i ka shkaktuar dhe asfiksinë. Mbi 20 seanca gjyqësore janë dashur për të mbyllur këtë gjykim ndaj mjekes së pandehur Babliku. Kanë qenë ekspertë të ndryshëm që janë thirrurpër të dëshmuar për këtë rast, edhe pse nga ana e mjekëve pediatër kolegë të së akuzuarës, mohohej se mund të konstatohej në kohë ekzistenca e një trupi të huaj dhe konkretisht një kokërr fasule, që e kishte gëlltitur dhe që i mori jetën. Nga ana e organit të akuzës pas proçesit hetimor janë paraqitur kartelat klinike dhe grafitë, por edhe dëshmitë e specialistëve të fushës. Mjekët kolegë të pediatres e kanë quajtur të pamundur identifikimin e fasules në trake(fyt), që u gjet vetëm pas autopsies, pasi nuk mund të shihej gjatë radiografive, por pavarësisht nga ky fakt, ajo sërish është shpallur fajtore, pasi mund të kishte konstatuar në kohë nga simptomat shqetësimet që kishte vogëlushja që u mbajt dy ditë në spital në gjendje të rëndë dhe të parandalonte vdekjen e saj.